Presidentja e Dhomës së Deputetëve të Italisë, znj. Laura Boldrini, ka pritur në takim Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta.
Një takim miqësor që reflekton marrëdhëniet e shkëlqyera që lidhin bashkë dy vendet.
Presidentja Boldrini ka risjellë në vëmendje misionet e shumta humanitare të ndërmarra gjatë viteve ‘90 në Shqipëri nga UNHCR, gjatë krizë së refugjatëve.
“Ishte një epokë e mbushur me trazira të mëdha, që shkaktuan largimin e detyruar të qindra mijërave njerëzve në pak javë”, – ka thënë znj. Laura Boldrini.
“Shqipëria, një vend i vogël dhe asokohe shumë i varfër, dëshmoi bujari të madhe, duke pritur shumë njerëz që largoheshin”.
“Sot emigrantët shqiptarë përbëjnë një nga komunitetet më të mëdha të vendit tonë, fëmijët e të cilëve studiojnë dhe punojnë përkrah fëmijëve tanë”, ka deklaruar Presidentja Boldrini. “Ata, ashtu si edhe minoranca historike e arbëreshëve, kanë aftësinë për të bashkëjetuar mes dy kulturave dhe për të shërbyer si urë mes Italisë dhe Shqipërisë”.
“Në të njëjtën mënyrë, Italia mund të shërbejë si urë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, duke mbështetur një vend fqinj dhe mik në rrugën drejt BE-së dhe në zbatimin e reformave të nevojshme që duhen ndjekur”, – tha Presidentja e Dhomës së Deputetëve, znj. Boldrini.
“Forcimi i lidhjeve mes Italisë dhe Shqipërisë duhet të jetë edhe në aspektin parlamentar, për shembull përmes një programi shkëmbimesh në nivel administrativ”. Presidentja znj. Boldrini e ka mirëpritur ftesën e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta për një vizitë zyrtare në Shqipëri.