Mbledhja e komisionit të Integrimit diskutoi sot “Miratimin e Planit te veprimit për plotësimin e 15 rekomandimeve të Këshillit Europian të 25 mars 2020”, me pjesëmarrjen e ministrit të MEPJ në detyrë, Gent Cakaj.
Gjatë diskutimeve, kreu u grupit socialist Taulant Balla tha se Kuvendi do të bëjë atë që duhet për kthyer në shqip rekomandimet e Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese duke “qetësuar shpirtrat e trazuar dhe Presidentin.
“Gjej rastin të qetësoj shpirtrat e trazuar dhe Presidentin se në fund të fundit Kuvendi nuk do të bëjë asgjë tjetër po gjithçka ka sugjeruar Venecia ta kthejmë në shqip, të konsultuar dhe me KE, dhe me asamblenë e KiE me qëllim që të kemi një variant final që i bën mirë dhe nder legjislacionit të kësaj fushe në Shqipëri”, tha Balla teksa i kërkoi Cakajt që të ishte i pranishëm në mbledhje të paktë një herë në muaj.
Në përgjigje të tij deputeti i opozitës parlamentare Ralf Gjoni tha se maxhoranca i kërkon llogari presidentit me “një dozë interesante dashurie” duke e cilësuar një marrëdhënie Rama-Meta si ajo e gaforres.
“Më vjen mirë që maxhoranca i kërkon llogari Presidentit po me një dozë interesante dashurie, mesa duket kjo marrëdhënie Rama-Meta është si ajo marrëdhënia e gaforres, një herë majtas e një herë djathtas, po asnjëherë drejt”, tha Gjoni.
Por më pas diskutimet u zhvendosën mes tij dhe Cakajt, pasi Gjoni tha se solidarizohej me të pasi i ka rënë një barë e rëndë për të dalë si përfaqësues i qeverisë për këtë çështje, ku Balla i kërkoi shumë llogari.
“Nuk jam i prirur t’i personalizoj bisedat këtu ndaj nuk do të përgjigjem”, tha Cakaj teksa po fliste mbi pyetjen e Gjonit për çështjen e pronave. Por diskutimi më pas u kthye në një tjetër drejtim.
“Ndoshta nuk më kuptuat se nuk e kisha me ju. Se ju nuk keni pronë këtu për të kuptuar”, i tha Gjoni.
“Gjuha shqipe janë të mjaftueshme për të kuptuar njëri-tjetrin, dallime politike janë gjithçka tjetër. E kam krenari që jam nga Kosova dhe dashurinë për Shqipërinë nuk e lidh me të pasurin pronë këtu”, iu përgjigj Cakaj.
Një ditë më parë dhe ish ministrja e Arsimit Besa Shahini tha se është sulmuar për shkak të dialektit kosovar.
/e.rr