Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi, tha në fund të mbledhjes së Këshillit Politik se opozita e bashkuar ka kërkuar dy gjëra.
Sipas Bylykbashit, opozita ka kërkuar ruajtjen e koalicioneve zgjedhore, siç ishin deri më tani, dhe hapjen 100% të listave, në mënyrë që zgjedhësit të zgjedhin të lirë partinë që duan.
“Në mbledhjen e sotme opozita e bashkuar bëri të qartë qëndrimin e saj në lidhje me ruajtjen e koalicioneve zgjedhore, siç janë sot në Kodin Zgjedhor. Një çështje që ka funksionuar prej 17 vitesh dhe nuk ka pasur problem. Gjithashtu, u kërkua hapja 100% e listave. Ne kërkojmë që zgjedhësit të votojnë të lirë. Mazhoranca kërkon t’u heqë zgjedhësve mundësinë për lista 100% të hapura, si dhe të zgjedhin lirisht partinë që duan. Këto janë qëndrime diametralisht të kundërta. Ne për çështje që nuk kemi dakordësi kemi të drejtën t’i drejtohemi OSBE/ ODIHR”, tha Bylykbashi.
/a.r