Një ditë përpara nisjes së vitit të ri shkollor, kësaj radhe ndryshe nga herët e tjera për shkak të masave të imponuara nga pandemia e Covid-19, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar nxënësit që do të ulen në bankat e shkollës.
“Të dashur mësues, nxënës e prindër që nesër me bashkë me nisjen e vitit të ri shkollor do të përballeni dhe me vështirësitë e krijuara nga pandemia, ju uroj nga zemra suksese e mbarësi. Uroj veçanërisht fëmijët që nisin klasën e parë. Suksese në rrugën e dijes dhe së bashku me mësuesit dhe prindërit ta tejkalojnë sa më shpejt dhe sukses këtë realitet të ri. Për të gjithë ne, për mësuesit, nxënësit dhe prindërit ky është një vit shkollor i vështirë dhe sfidues. Respektimi i masave te përcaktuara, ato higjenike dhe të distancimit social mbeten sërish të rëndësishme në përballimin e situates”.
Në një postim në Facebook, kryedemokrati akuzon qeverinë Rama se ka lënë në harresë nxënësit dhe mësuesit. Sërish ka shprehur shqetësim se stafi pedagogjik duhet t’i ishte nënshtruar testimeve anti-covid.
“I njoh shumë mirë vështirësitë që do të hasni për shkak të kushteve të vështira në kopshte dhe shkolla. E di që jeni tërësisht të braktisur nga qeveria, por edhe në këto kushte të vështira të gjithë duhet të bëjmë më të mirën e mundshme duke zbatuar të gjithë këshillat e OBSH dhe për të mundësuar në këtë mënyrë një proces mësimor normal. Refuzimi i qeverisë për të testuar mësuesit e bën edhe më shqetësues dhe të paqartë për të gjithë ne nisjen e vitit të ri shkollor. Në kushtet aktuale të fillimit të procesit mësimor, askush nuk e di sa prej stafit pedagogjik mund të jenë prekur nga virusi, sa mund ta kenë kaluar në kushte asimptomatike ose me simptoma te lehta por që nuk kanë pasur mundësi të kryejnë testin. Ky duhet të ishte hapi i parë i qeverisë në hapjen e shkollave. Ndërkohë që masat e marra prej saj rezultuan gjysmake ose vetëm të shkruara në udhëzime që nuk u zbatuan kurrë. Mungesa e shkollave, mosmarrja e masave konkrete për ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave të rrënuara nga tërmeti vetëm që të një grusht klientësh të qeverisë të përfitonin nga fondet, është arsyeja që i detyron fëmijët që nesër të nisin mësimin deri me katër turne. Pjesa më e madhe e shkollave nuk përmbushin as nevojat minimale higjenosanitare. Në shumë prej mungon uji dhe punonjësit sanitarë. Mësuesve krahas vështirësisë së shtuar në mësimin me orë të zgjatura për shkak të turneve do t’u shtohet dhe kostoja e pajisjes me maska, të cilat duhet t’ua siguronte qeveria”.
Lulzim Basha i ka bërë apel pushteti qëndror që të marrë masa për të garantuar siguri maksimale për zhvillimin e mësimit nëpër shkolla.
“Në këtë situatë dua sërish të përsëris thirrjen time për qeverinë:
– Të testojë mesuesit për të patur një situatë të qartë në shkolla.
– Të alokojë fonde për shkollat dhe shëndetësinë në mënyrë që të përballohet pa pasoja përkeqësimi i pritshëm situatës së pandemisë për shkak të afrimit të vjeshtës.
– Të rrisë numrin e mësuesve dhe ti pajisë ata me maska dhe antibakterialë.
– Të alokojë fonde për ndërtimin e shpejtë të shkollave. Nxënësit nuk mësojnë në shkollat 3D të propagandës por kanë nevojë për ambjente të vërteta dhe të sigurta. Jeta e tyre, e mësuesve dhe e gjithë qytetarëve është e rëndësishme çdo ditë dhe jo vetëm kur përdoren për fushatë elektorale apo për vota.
– Të sigurojë kushtet për transportin më shkolla të fëmijëve që jetojnë në çadra, kontenierë apo shtëpi të dëmtuara. Koha nuk pret”.