Shkolla 9-vjeçare “Jeronim de Rada” është gati të presë nga nesër nxënësit e saj, e rikonstruktuar plotësisht pas 54 vitesh, me mbështetjen e Fondacionit të Katarit. Në ceremoninë e përurimit, ku morën pjesë edhe shumë ish-nxënës të saj, si këngëtarja Irma Libohova, ish ministrja Mimi Kodheli, deputeti Ervin Bushati, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh i entuziazmuar për rihapjen e shkollës, e cila i bashkohet kështu shkollave të reja ose të rikonstruktuara që janë tashmë gati për të pritur nxënësit për vitin e ri shkollor.
“Dje nënshkruam një marrëveshje 5 milion dollarë për ndërtimin e dy shkollave të reja, “Lasgush Poradeci” në Kombinat dhe “1 Qershori” në Pezë, si dhe Kopshtin 42 në zonën e ish-Bllokut. Nuk ka lajm më të mirë se të ndërtosh dhe hapësh shkolla”, tha Veliaj. Ai theksoi se ata që sot kritikojnë, kur drejtonin Bashkinë e Tiranës, treguan se nuk ishin në gjendje të ndërtonin qoftë edhe një shkollë të vetme.
“Për ata që nuk bënë asnjë shkollë në Tiranë dua t’ju them, duroni dhe do të shikoni një tjetër mrekulli te shkolla “Sami Frashëri”, si kjo këtu, për të cilën na ndihmuan miqtë e Katarit. “Sami Frashëri” do të jetë dy herë më e madhe, dy herë më e fortë dhe dy herë më jetëgjatë dhe shumëfish, e disa herë më e bukur”, u shpreh kryebashkiaku.
Teksa solli disa shembuj të diskreditimit të opozitës para qytetarëve, në përpjekje për të shfrytëzuar fëmijët për politikë, Veliaj siguroi se edhe Kopshti nr. 42 do të ndërtohet shumë herë më i mirë. “Kam parasysh konferencën për shtyp të atij që nuk bëri asnjë shkollë në Tiranë, kur tha se Kopshti 42 do të bëhet pallat. Ne, sigurisht, nuk harxhojmë kohë me ta, por dje e patë që deklaruam financimin e Kopshtit 42 me miqtë e Katarit. Pra, përdorimi i fëmijëve, i kopshtit, i çerdhes, si mjete për të bërë politikë, nga ata që tashmë janë diskredituar, flet shumë. Kështu thanë edhe për fushën në Laprakë, kështu thanë edhe për “7 xhuxhat”, që u bë kënd lodrash, kështu thanë edhe për lodrat te Liqeni, edhe për Parkun Rinia. Pyetja ime për ta është: A nuk u lodhët?! Ne do t’i zhgënjejmë me ndërtimin e një super kopshti nr. 42, me një super shkollë në Pezë dhe me një super shkollë në Kombinat”, deklaroi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë u ndal edhe tek shkolla e Pezë Helmësit, teksa sqaroi se ajo do të rikonstruktohet plotësisht, ndërsa fëmijët janë sistemuar përkohësisht në një shkollë private, me kushte shumë të mirë dhe mësim me një turn. Ai i kërkoi opozitës që të mos përdorë merakun e prindërve për kauzat e saj politike, ndërsa i siguroi se do të zhgënjehen më 25 prill. Sipas tij, politika e shëmtuar, me merakun e një prindi të sinqertë, është një politikë pa të ardhme.
“Për këdo që mundohet të përdorë merakun e prindërve, i them se do zhgënjehen shumë, jo vetëm më 25 prill, por do ta zhgënjejmë përditë, deri në 25 prill, kur do të vijë edhe zhgënjimi final i atyre që mundohen të përdorin meraqe prindërore për kauzat politike. Shkolla në Pezë Helmës do të hapet nesër në shkollën private “Vëllezërit Kajtazi”. Ata nuk e përdorin më godinën sepse shkolla e tyre ka pësuar një transformim, kështu që atë ndërtesë do ta përdorim për nxënësit e Pezë Helmësit. Kur gjërat transformohen dhe produkti duket, kupton se politika e shëmtuar, me merakun e një prindi të sinqertë, me merakun e një fëmije, është një politikë që nuk ka të ardhme. Të ardhme ka politika e drejtë, pranimi i së vërtetës, pranimi i sfidave, ndarja e punës, pastaj çuarja e punës deri në fund, për të patur histori suksesi si sot me shkollën ‘Jeronim de Rada’”, tha ai.
Shkolla “Jeronin de Rada” është vetëm një nga institucionet e reja në kryeqytet. Dhurata e Bashkisë së Tiranës, bashkë me qeverinë dhe miqtë e saj, për kryeqytetin janë 28 shkolla. “Ne do të vazhdojmë me tre shkollat e reja që firmosëm dje, që shkojnë në total 11 shkolla të prekura nga tërmeti, plus 17 të tjera që janë në proces. Jo vetëm rrisim cilësinë e arsimimit, por amortizojmë një pjesë të madhe të trafikut dhe sigurohemi që fëmijët kalojnë më shumë kohë cilësore”, sqaroi kryebashkiaku Veliaj.
Përfaqësuesi i Fondacionit të Katarit, Khalifa Bin Jassim Al Kuwari, theksoi se ky projekt është një shenjë solidariteti dhe një dhuratë, nga lartësia e tij, Emiri i shtetit të Katarit, dhe nga populli i Katarit për vëllezërit e tyre në Shqipëri.
/a.r