Nga Alfred Peza
Opozita jonë e rrugës është e vetmja në botën demokratike, që nuk i ofron qytetarëve për zgjedhjet parlamentare; një program, kauzë, alternativë apo një projekt qeverisës. Në vend të pozitivitetit, frymës së ndryshimit, klimës së mirëkuptimit, e një projeksioni jo vetëm ndryshe por edhe më të mirë për të ardhmen, ofron të kundërtën.
Opozita jonë po hyn në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 majit 2021, me dëshirën e etur për fitore me qëllim rikthimin me çdo kusht e çmim në pushtet, përmes një rruge totalisht të gabuar. Përmes këcënimit, shantazhit, negativitetit, dhunës verbale, fake news-eve dhe diversionit mbi të gjithë ata që nesër do u kërkojë votën. Mbi punonjësin e administratës në pushtetin qëndror e lokal, mbi nëpunësit civil, mbi qytetarët dhe votuesit kudo nëpër Shqipëri.
Nën ethet e përzgjedhjes së listës zyrtare të kandidatëve nga ana e PD, ish deputetët që ndihen më nën presion nga frika e rikandidimit kanë nisur një garë të shfrenuar me njëri tjetrin, se kush e kush të bëjë “zbulimin” më të bujshëm. Po shfrytëzojnë për këtë mikrofonin e SHQUP-it, në mënyrë që të tërheqin vëmendjen e komisionit përzgjedhës dhe mbi të gjitha të Lulzim Bashës, duke besuar se kësisoj kanë kontribuar mjaftueshëm, për të qenë sërisht në listën e kandidatëve për deputetë.
Më i fundit është rasti i “denoncimit” të një gjoja formulari, si tregues se “Edi Rama ka nisur përgatitjet për manipulimin dhe vjedhjen e zgjedhjeve”. Duke shtuar sipas një stili gazetaresk, se; “ja ku është edhe urdhëri për drejtuesit në çdo qark” të Shqipërisë. E kur e sheh që ta bëjnë publike këtë “dokument sekret”, apo “provë përvëluese”, të vjen edhe për të qeshur edhe për të qarë për mjerimin politik të opozitarëve tanë.
E para, sepse ai gjoja “formulari” nuk është gjë tjetër veçse një copë letër që kushdo nga qindra mijë shqiptarët që kanë një kompjuter në shtëpi a punë, mund ta radhisi dhe ta printojë. E ajo nuk është as provë, as tregues i ndonjë gjëje, e aq më pak ndonjë indicie që ngriti në këmbë partinë më të madhe të opozitës shqiptare, për të mbarsur malin që nuk prodhoi dot as një miush.
E dyta, një opozitë që mer dhe tregon si mëkate të kundërshtarit, fantazitë e saj sesi ajo beson se pushteti mund tia manipulojë nesër votat, tregon; ose se ajo e ka përdorur vetë këtë metodë kur ka qenë në pushtet dhe tani kërkon që tia faturojë kundërshtarit të vet. Ose është gati, që ta aplikojë me sukses, nëse do të jetë ndonjëherë vetë nesër në pushtet.
E treta, duke dashur që të demonizojë mazhorancën opozitarët tanë pa dashjen e tyre, thjeshtë sa po ia shtojnë akoma edhe më shumë, mitin e pathyeshmërisë elektorale PS. Sepse zgjedhjet duan 7-8 muaj që të zhvillohen dhe ajo duket sikur po mendoka, se ato do të jenë të dielën e ardhshme. Ndërkohë që vetë PD, jo vetëm nuk ka filluar asnjë përgatitje në terren, por akoma është shumë larg edhe përfundimit të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë dhe krijimit të koalicioneve paraelektorale.
Ndaj, të kërcënosh administratën sot duke qenë në opozitë, sepse kërkon që ti marësh votën për ta qeverisur nesër, nuk është alternativë. Por autogoli më qesharak që një ekip politik, mund të bëjë në portën e saj, në prag të zgjedhjeve.
Të shantazhosh mësuesit, edukatoret, mjekët, infermierët, biznesin e vogël, të mesëm apo të madh, prodhuesit dhe takspapaguesit shqiptarë në vend që tu ofrosh programin, idetë, vizionin dhe projeksionin tënd qeverisës për të nesërmen, nuk është alternativë. Është një vetëvrasje politike spektakolare.
Në këtë sistem ku jetojmë prej 30 vjetësh të gjithë sëbashku, bota qeveriset në dy mënyra: Ose përmes forcës së moralit, ose përmes moralit të forcës. Me këtë qajse të shndërruar tashmë në një filozofi politike, në një mënyrë jetese për opozitën dhe opozitarët tanë, thjeshtë po dëshmojnë publikisht se kanë përqafuar moralin e forcës.
Ndaj kanë nisur që të imponohen përmes dhunës së fjalës, përmes diskursit të gjuhës së ashpër dhe fjalorit shantazhues në publik. Një filozofi që të çon gjithkund, përveçse nuk të rikthen dot kurrë, në pushtet. Sepse është shumë e largët ajo ditë tashmë, kur shqiptarët e vranë njëherë e përgjithmonë frikën, ndaj rruga për në zemrat e tyre kalon nëpër ca lëndina të tjera!