Kreu i lëvizjes URA në Malin e Zi, Dritan Abazoviç deklaroi mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion” se ai “do të dalë nga koalicioni qeverisës nëse prishet marrëveshja mes partive”.
Në një intervistë në lidhje direkte me moderatorin Blendi Fevziu, Abazoviç deklaroi se vota e tij “do të shkojë drejt BE, drejt luftës kundër korrupsionit dhe demontimit të regjimit të fundit në Evropë”
Sipas marrëveshjes së koalicionit qeverisës në Malin e Zi, që pritet të zëvendësojë partinë e Milo Gjukanoviç, vendi do të mbajë drejtim pro-perëndimor në politikën e jashtme, do të synojë anëtarësinë në NATO dhe BE dhe nuk do të tërhiqet nga njohja e Kosovës.
Abazoviç tha se tri gjërat kryesore ku do të fokusohet qeveria do të jenë lufta kundër korrupsionit, drejtimi drejt BE dhe problemi ekonomik me të cilin po përballet vendi.
Sa i përket shqiptarëve në Malin e Zi ai sqaroi se largimi i tyre në emigrim nuk ka ardhur “për shkak të nacionalizmit por për shkak të problemit ekonomik.”
Ai shtoi gjithashtu se shqiptarët nuk janë diskriminuar dhe se kjo është hera e parë qe “të vendoset prej një shqiptari qeveria e Malit të Zi”.
g.kosovari