Rusia bëri përpjekje që të shfrytëzojë ndihmën e saj ndaj Serbisë në kohën e pandemisë së COVID-19, për të siguruar një mbështetje të Kombeve të Bashkuara që do të mund të lehtësonte sanksionet perëndimore ndaj saj.
Në një raport të Fondacionit Rusia e Lirë, me seli në Shtetet e Bashkuara që heton ndikimin e Rusisë së Vladimir Putinit në fushat e ekonomisë, medies, religjionit, shoqërisë civile politikës dhe përgjigjes ndaj pandemisë së COVID-19, thuhet se Moska sikurse edhe Pekini shfrytëzuan pakënaqësitë e Serbisë me Bashkimin Evropian në fillim të pandemisë për qëllimet e tyre.
Raporti kujton kritikat e ashpra të 15 marsit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç ndaj Bashkimit Evropian i cili “u vonua” të ndihmojë Italinë e cila ishte goditur rëndë nga pandemia si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ndwrsa vlerësoi lartë ndërkaq ndihmën nga Kina.
Sipas raportit ai kishte dy arsye për një qasje të tillë; së pari, ai duhej ta zhvendoste vëmendjen nga përgjegjësia për situatën me pandeminë, që ishte injoruar fillimisht nga autoritetet dhe së dyti, mesazhet anti-BE të tij ishin lëvdata ndaj aleatit autoritar të Serbisë, Kinës.
Deklarata e presidentit serb Vuçiç se “solidariteti evropian” ishte “një përrallë” ishte natyrisht një fyerje e dukshme për Bashkimin Evropian. Në periudhën midis viteve 2000 dhe 2018, BE-ja i dha Serbisë “grante me vlerë prej rreth 3.6 miliardë eurosh, ndërsa grantet kineze për Serbinë arritën në rreth 30 milionë euro. Asnjë ndihmë financiare ruse për Serbinë nuk ishte regjistruar publikisht në të njëjtën periudhë. Për më tepër në 20 vjetët e fundit Bashkimi Evropian ka dhuruar 200 milionë euro dhe ka lëvruar kredi prej 250 milion eurosh për forcimin e sistemit shëndetësor të Serbisë.
Qartazi, thuhet në raport, as Kina e as Rusia nuk mund të konkurrojnë me BE-në në shumën e ndihmës financiare ndaj Serbisë. Por, fusha ku ata mund të konkurrojnë është koha e vendimmarrjes, meqë Pekini dhe Moska janë superiore ndaj Brukselit pasi janë në gjendje të marrin vendime menjëherë – një aftësi e regjimeve autoritare që shmangin dhe përçmojnë debatin në procesin e vendimmarrjes.
Raporti tërheq vërejtjen se një anketë e kryer në periudhën shkurt-mars 2020, tregon se 87 për qind e serbëve e shohin Rusinë në mënyrë të favorshme. Për më tepër, në kundërshtim me të gjitha statistikat, serbët e vendosin Rusinë në vendin e dytë në listën e donatorëve më të mëdhenj të huaj për vendin: 27 për qind e të anketuarve mendojnë se Rusia është donatori më i madh dhe 28 për qind besojnë se është BE-ja. Kina radhitet e treta me 20 për qind.
Raporti thekson se një periudhë e shkurtër kohore – rreth një javë – midis lutjes së presidentit serb Aleksandar Vuçiç për ndihmë nga Kina dhe premtimeve të BE-së për t’i dhënë miliona euro Serbisë për ta ndihmuar atë të luftonte pandeminë, u shfrytëzua në mënyrë cinike nga Pekini dhe Moska për të sulmuar Brukselin dhe kryeqytetet e tjera evropiane, ndërsa synonin të çonin përpara qëllimet e tyre.
Për Kinën, thuhet në raport, ato synime ishin kryesisht ekonomike, meqë ajo është e interesuar të investojë në Serbi.
Përkundrazi, Rusia u nxit nga lufta e saj politike me perëndimin në përgjithësi dhe BE-në në veçanti. Rusia i ofroi Serbisë fjalë për një mbështetje të madhe por nuk arriti të ofrojë shpejt ndihmë mjekësore, financiare ose ndihmën e ekspertëve për “popullin vëlla serb”.
Në atë kohë, thuhet në raport, Beogradi nuk ishte i rëndësishëm për lojën gjeopolitike të Rusisë. Ajo përdori burimet e saj për t’i ardhur rrotull Italisë, anëtare e BE-së dhe NATO-s. Megjithatë, mungesa e ndihmës ruse dëmtoi rrëfimin e vetë Kremlinit për BE-në “e dobët” dhe “ta ngadaltë” në Serbi në krahasim me Kinën. Dhe kur Rusia filloi dërgimin e avionëve me ndihma humanitare për Serbinë, pasi që BE-ja zotoi miliona, mediet e Kremlinit kryesisht braktisën mesazhet kundër BE-së në kontekstin e zhvillimeve që lidheshin me koronavirusin në Ballkanin Perëndimor.
Pavarësisht kësaj, thuhet ne raport, parlamenti rus ose më konkretisht, Komisioni i tij për Marrëdhëniet Ndërkombëtare i kryesuar nga Leonid Slutsky, u përpoq të përdorë ndihmën ruse për Serbinë si pjesë të fushatës së Kremlinit për të bindur bashkësinë ndërkombëtare të miratojë një version rus të deklaratës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi pandeminë e COVID-19, që potencialisht do të lejonte heqjen e sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Rusisë së Putinit për shkak të aneksimit të Krimesë dhe luftës së saj kundër Ukrainës.
Sidoqoftë, përfundon raporti, ‘loja’ e Moskës nuk funksionoi dhe në përgjithësi, nuk ka asnjë provë që Moska ka arritur ndonjë rezultat të prekshëm në operacionet e saj të ndikimit malinj në Serbi.(VOA)