Nga Leonidha Mërtiri*
Shkëputja e Maqedonisë nga ish Federata Jugosllave kërkonte që marrëdhëniet e Shqipërisë me të të njihnin dimensione të reja. Kjo, në radhë të parë, për veçantinë e njohur të tyre, në krahasim me vendet e tjera: Sepse ishte dhe është vendi ynë fqinj, me të cilin jemi në të dy anët e së njëjtës vijë kufitare dhe mbi të gjitha, për faktin e rëndësishëm, që numri i shqiptarëve, që jetojnë atje, përbën 30 për qind të popullsisë së Maqedonisë.
Me rënien e sistemit të mëparshëm komunist, Shqipëria në politikën e saj të jashtme ka synuar të ketë marrëdhënie sa më miqësore me të gjitha vendet. Edhe me Maqedoninë, pavarësisht tensioneve të krijuara herë pas here në kufi apo nga incidentet në qëndrimet e shtetit maqedonas ndaj shqiptarëve, si një vend me ekuilibër problemor ndëretnik, marrëdhëniet me të, tepër të ndjeshme, siç do të tregojë koha, janë mbështetur e inkurajuar megjithatë vazhdimisht, për një të ardhme më të mirë të tyre.
Në fillim të verës së vitit 1991, kur shpërbërja e Jugosllavisë po merrte fund, në prag të referendumit, zyrtarët maqedonas filluan ecejaket me fqinjët, me qëllim që t’i parapërgatitnin ata për të ndihmuar në kapërcimin e vështirësive të ndryshme, që me të drejtë parashiheshin t’i dilnin shtetit të ri të Maqedonisë dhe për të shpejtuar njohjen e pavarësisë së tij.
…Në atë kohë, unë sapo isha kthyer nga Beogradi, pas tre vjet e gjysmë qëndrimi në detyrën e Këshilltarit politik në Ambasadën e Shqipërisë për ish Jugosllavinë, si dhe atë të Të Ngarkuarit me Punë a.i., në mungesë të ambasadorit. Për mua Maqedonia nuk ishte e panjohur. Lidhja ime me Maqedoninë është e hershme. Sepse edhe para emërimit tim në Beograd, punoja në Drejtorinë që mbulonte vendet e rajonit, në sektorin për ish Jugosllavinë. Duke qenë që Beogradi ishte kryeqyteti i gjashtë republikave dhe dy krahinave autonome, tani, duke punuar në ambasadë, marrëdhëniet me to, i ndiqnim prej këtej, përmes kontakteve me zyrtarët e Sekretariatit të Jashtëm Federativ, mediave vendase, takimeve me kolegët tanë të trupit diplomatik, sidomos atyre perëndimor, shumica e ambasadave të të cilëve, të akredituar në Shqipëri, atëherë ishin me rezidencë në Beograd, por edhe takimeve të drejtpërdrejta gjatë vizitave tona në këto republika dhe krahina. Këto kontakte, përmes vizitave, i lashë të fundit, jo si çështje vlerësimi, sepse realisht i shikonim shumë të rëndësishme, por për shkak të kufizimeve të njohura dhe se për to kërkohej çdo herë miratimi nga Sekretariati Federativ, pa folur pastaj për vështirësitë tona financiare.
Kthimi im në Ministrinë e Punëve të Jashtme, po në sektorin e ish Jugosllavisë, u bë nëpërmjet një rokade: Unë merrja përsëri drejtimin e këtij sektori, që deri atëherë, pas emërimit në Beograd, e kishte ndjekur kolegu im, diplomati gjithashtu i karrierës, Jonuz Begaj, ndërsa tani, ai zëvendësonte mua në ambasadë. Kështu, isha në kontakt të pandërprerë me ecurinë e marrëdhënieve tona konkrete me këto vende, por dhe të këtyre të fundit me shtetet e tjerë.
Në Shqipëri, pas protestave masive të qytetarëve, erdhi qeveria e re e koalicionit, me bazë të gjerë politike, që njihet si “Qeveria e Stabilitetit”, e cila sapo hidhte hapat e parë në rrugën e “tranzicionit demokratik” dhe do të jepte dorëheqjen pas gjashtë muajsh, në dhjetor 1991. Ky vit ishte i mbushur me shumë ngjarje. Udha për konsolidimin e demokracisë nuk ishte e lehtë dhe vendi dukej që luhatej në udhëkryq, por i vendosur në rrugën e pakthyeshme të ndryshimeve të sistemit të atëhershëm. Ekonomia shkonte, thuajse në kolaps. Kriza thellohej gjithnjë e më shumë. Protestat, demonstratat shprehnin tensionet politike dhe ekonomike në vend.
Pavarësisht kësaj situate, problemeve me të cilat po ndeshej Shqipëria, nevojat e Maqedonisë, sikurse theksuam dhe më parë, ishin të ngutshme dhe situata nëpër të cilën ajo po kalonte duhej bërë prezente te fqinjët për të përballuar problemet e së nesërmes. Në një deklaratë të Ministrisë së Informacionit të Maqedonisë, në qershor të vitit 1991, pasi flitej mbi gjendjen në Shqipëri, thuhej qartë se “…interesat e veta për prezencë sa më të madhe në Shqipëri, sidomos në planin ekonomik, i shfaqin Greqia dhe Italia… Nga ana shqiptare, në mënyrë të hapur theksohet se ky vend, kur bëhet fjalë për republikat jugosllave, është i gatshëm të bashkëpunojë në radhë të parë me Maqedoninë”. Dhe më tej: “Qeverisë së Maqedonisë dhe më gjerë i mbetet që në afat sa më të shkurtër të shqyrtojë interesat e veta dhe nevojat për bashkëpunim me fqinjin tonë perëndimor dhe të reagojë me kohë në këtë drejtim”.
Në këto kushte pala maqedonase shpejtoi vizitën zyrtare në vendin tonë të një delegacioni qeveritar, të kryesuar nga kryeministri Nikolla Klusev, më 25 korrik 1991. Për parantezë, vizitat e fillimit shiheshin edhe si test, sesa e gatshme ishte Shqipëria në mbështetje të shtetit të ri. Një natë më parë datës që përmendëm, rreth orës 21 e 30’ më telefonon në shtëpi nëpunësi i shërbimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai më tha i shqetësuar se nga Drejtoria e Pritjes lajmëronin për ardhjen e disa ministrave nga Maqedonia, për të cilët ajo ishte njoftuar më parë se delegacioni vinte të nesërmen, ndaj dhe bëhej i vështirë akomodimi i tyre, pasi vetëm një dhomë ishte e lirë. U habita dhe vetë. Ndërkohë u përpoqa të lidhem me dikë nga Drejtoria e Protokollit të Shtetit, por ishte e pamundur. Një keqkuptim i yni ky apo i atyre? Kur shkova në vilën e pritjes, zonja që ishte përgjegjëse e saj më tregoi shkresën që i ishte përcjellë, për vizitën e delegacionit më 25-26 korrik. Më në fund, u bë një rregullim fare modest, që gjithsesi linte për të dëshiruar, por në pamundësi të rregulloheshin gjetkë për vështirësitë e njohura të asaj periudhe, kur situata e përgjithshme në vend ishte mjaft e ashpërsuar. Pasi diçka u bë, u takova me mysafirët që i paraprinë kryeministrit të tyre. Ishin tre ministra: Denko Maleski, Ministër i Punëve të Jashtme, Goce Petreski, Ministër për Zhvillimin dhe Jane Milovski, Ministër pa Portofol. U kërkova ndjesë për çka ndodhi. Por ajo që më bëri përshtypje dhe do të linte gjurmë tek unë, ishte qetësia e tyre, asnjë shprehje pakënaqësie a zemërimi, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Zoti Maleski, me të cilin më vonë puna do ta sillte që të takohesha dhe herë të tjera, një intelektual i respektuar, e kaloi menjëherë bisedën gjetkë, duke krijuar përshtypjen se fajin ia linte palës së tyre, por edhe situatave nëpër të cilat po kalonte Shqipëria. Më vinte mirë gjithashtu që shumë vite më vonë, sikurse dhe në zgjedhjet e mëparshme, por dhe në ato të fundit për president, të 2019-ës, emri i shefit të parë të diplomacisë në Maqedoninë e pavarur, profesorit universitar, Denko Maleski, do të qarkullonte për garën presidenciale.
Të nesërmen, më 25 korrik, me ardhjen e kryeministrit Nikolla Klusev dhe disa anëtarëve të tjerë, si zëvendëskryeministri shqiptar, Beqir Zhuta, delegacioni u kompletua dhe gjithçka vazhdoi sipas programit, rënë dakord nga të dy palët. Gjendja në Jugosllavi, rreziku që paraqiste ajo për atë vet, për Shqipërinë dhe Maqedoninë, që problemet atje të zgjidhen në rrugë paqësore, në interes të mbarë kombeve, pra, edhe të shqiptarëve në Jugosllavi, respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të vendeve të Ballkanit në rrugën drejt Europës, marrëdhëniet ndërnacionale, ishin të pranishme në këto takime. Të dyja qeveritë do të konkludonin konkretisht për një bashkëpunim të detajuar në të gjitha fushat, duke parë këtë si faktor të rëndësishëm për afrimin më të madh midis kombeve.
Klusev, duke folur për marrëdhëniet ndërnacionale, vazhdonte të mbronte qëndrimin e njohur maqedonas: I njëjti vlerësim për shqiptarët që jetonin atje- si pakicë nacionale dhe shenjë barazimi me pakicën maqedonase në Shqipëri, e konsideruar kjo “disa mijëra”, që “duhet të gëzonte të gjitha të drejtat”. Pala shqiptare, siç do të ndodhte dhe në vitet e mëvonshme, nuk mund të pajtohej me qëndrime e pretendime si këto, të cilat përsëriteshin herë pas here dhe vetëm zjarrmonin marrëdhëniet dypalëshe. Edhe këtë radhë bashkëbiseduesve iu kujtua sërish numri i madh i shqiptarëve në këtë shtet, por dhe çështje si ato të hapjes së kufijve, lehtësimit të kalimit të tyre në Shqipëri, problemet konkrete që ekzistojnë dhe më tej në marrëdhëniet ndërnacionale, me theksin që ato nuk duhet të fshihen. Kjo e fundit dukej se shkaktoi pakënaqësi tek anëtarët e delegacionit, gjë që vihej re dhe nga lëvizja e karrigeve të tyre. Maleski u pa sy më sy me shefin e tij të qeverisë dhe ndërhyri aty për aty: “Është shans historik t’i afrohemi Europës dhe të ballafaqohemi me realitetin, ta respektojmë integritetin territorial të vendeve dhe pakicat nacionale të mos i shfrytëzojmë për rrënimin e shteteve…”. Për ne ishte e qartë. Aludimi ishte për shqiptarët e Maqedonisë dhe vendin mëmë të tyre. Pra, nuk bëhej fjalë për krijimin e “Maqedonisë së Madhe” apo të “Shqipërisë së Madhe”, por kjo ishte një kambanë që do të binte dhe që bie edhe në ditët e sotme, jo vetëm nga fqinji ynë lindor.
Vizita në Liqenas, në Pustecin e sotëm, fshat me popullsi maqedonase, u bë gjatë kthimit të delegacionit në Shkup. Të gjithë banorët ishin mbledhur në mjedisin jashtë, para shkollës së fshatit. Klusev, pasi shtrëngoi duart me ta, u ngjit pak më lart, në sheshin e pjerrët, ku qëndronte mikrofoni. Sapo ai iu drejtua pjesëmarrësve në gjuhën maqedonase “Se najdov sebesi makedonski brat” (mirësejugjeta, vëllezër maqedonas), duartrokitjet e të pranishmëve sikur morën zjarr. Nuk kishte nevojë për përkthyes. Kjo skenë i dha më tepër zemër kryeministrit maqedonas, duke e bërë atë të ngrejë tonin e të tregohet edhe më i përzemërt. Kur Klusev mbaroi së foluri, njeri prej vendasve, diku nga mezi i turmës, duke ngritur dorën, kërkoi të merrte fjalën. “Me leje? “-tha ai dhe vazhdoi: “Tre ditë më parë ishte në fshatin tonë ambasadori i Bullgarisë në Tiranë, zoti Stefan Naumov. Dhe po këtu na u drejtua të gjithëve ne që e pritëm: “ Të dashur vëllezër bullgarë”. Zoti Kryeministër Klusev, – shtoi ai. A mund të na thoni, ju lutem, çfarë jemi ne në të vërtetë, maqedonas apo bullgarë? “. Ndërkaq shpërthyen të qeshurat. Buzëqeshi dhe Klusev dhe si ta kishte gjetur zgjidhjen, tha: “Konsiderojeni veten si ta ndjeni dhe si është e vërteta”.
…Një muaj më vonë, një delegacion i nivelit të lartë të qeverisë shqiptare, i kryesuar nga njeri prej zëvendëskryeministrave, me anëtarë ministrat që drejtonin dikasterin e minierave dhe energjetikës, tregtinë e brendshme dhe turizmin, transportet, u takua në Ohër me palën tjetër. Bisedat ishin konkrete, për bashkëpunim në këto fusha dhe mundësitë e zgjerimit të tij, jo vetëm në to, por dhe në fusha të tjera, si atë të shkencës, kulturës. Marrëveshjet që u nënshkruan nxitnin këtë bashkëpunim shumëplanësh dhe mundësonin “shkëmbimin e njohurive dhe përvojave mbi baza më serioze…”.
Këto takime në veçanti, por dhe ato që do të vinin, me shpërbërjen e Jugosllavisë, shtruan nevojën e domosdoshme të hapjes së zyrave që do të përfaqësonin të dy shtetet, për të mbrojtur interesat e vendit përfaqësues në shtetin pranues, koordinuar dhe nxitur në vazhdimësi marrëdhëniet dypalëshe në fusha të ndryshme. Ato do të ishin pararendëset e ambasadave të ardhshme, pas njohjes së Maqedonisë dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve.
Maqedonia, duke qenë iniciatorja e parë dhe këmbëngulëse për këtë, shumë pak kohë pas shpalljes së pavarësisë, pas bisedimeve të herëpashershme në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe kontakteve me zyrtarët më të lartë të Shqipërisë, e kishte caktuar më herët përfaqësuesin e Zyrës së saj në Tiranë. Ky ishte Viktor Gaber, diplomat karriere, po nga ky vend, që deri atëherë kryente funksionet e Këshilltarit Politik në ambasadën jugosllave. Për të, fillimi në këtë detyrë nuk përbënte asnjë vështirësi, madje, njerëz që e njihnin, por edhe diplomatë mendonin se ai vazhdonte të kryente ende detyrën e mëparshme. Për reciprocitet, sikurse dhe ishte rënë dakord, edhe pala shqiptare duhej të emëronte përfaqësuesin e vet në Shkup.
*Pjesë nga libri i diplomatit Leonidha Mërtiri: “Një diplomat i Tiranës në Shkup” (1)