Kryetari i parlamentit të Shqipërisë Gramoz Ruçi në fjalën e mbajtur në parlament, në hapjen e sesionit të ri parlamentar, ka përshëndetur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.
Ruçi theksoi se marrëveshja ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë e arritur në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, i hap rrugën njohjes së ndërsjelltë.
“Me rastin e fillimit të sesionit të ri parlamentar, ju uroj seksese. Sesioni i kaluar ishte i suksesshëm. Shqipëria mori përgjigje pozitive për çelje negiociatash. Po ashtu, kaluam me sakrifica situatën, nga tërmeti dhe nga pandemia. Po ashtu, u mbledh edhe Këshilli Politik me partitë jashtë parlamentit. Më lejoni të përshëndes marrëveshjen ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë në SHBA.
Kjo marrëveshje i hap rrugës marrëveshjes finale dhe njohjes së Kosovës. Procesi është shumë i rëndësishëm. Hapja e dosjes së Kosovës në tryezën e punës në Shtëpinë e Bardhë, është garanci për këtë çështje. Të kontribuojmë të gjithë që dosja e Kosovës të jetë në dorën e presidentit amerikan derisa të njihet pavarësia e Kosovës”, tha kreu i parlamentit Gramoz Ruçi.
Referuar ndryshimeve kushtetuese, kryeparlamentari tha se ato nuk ishin një hile e shumicës, por rijetëzim i parlamentarizmit.
“Marrëveshja e 5 qershorit garantoi gjithëpërfshirje” – shtoi ai.
/a.r