Nga Ilva Tare/
Rreziku i përmbytjeve që i kanoset rrethinave të Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit sa herë bie shi, është një provë e dështimit të pushtetit qendror dhe lokal, me ndërtimet pa leje buzë lumenjve apo mbi kolektorë. Angazhimi për t’i legalizuar këto godina të ngritura në mungesë të një shteti ligjor funksional, mund të pranohet si logjikë elektorale dhe formalizimi të një situate skandaloze të injorimit të institucioneve. Por dëmet dhe kostoja që prodhohet nga këto legalizime është po aq e rëndë sa edhe lënia në informalitet e 427 mijë ndërtimet pa leje që qeveria Rama gjeti në 2013-tën kur mori pushtetin.
Një familje në Paskuqan që e kishte shtëpinë në proces legalizimi, ishte evakuar mbrëmjen e së dielës nga prurjet e rrezikshme të ujit, ankohej tek gazetarët se e kishin transportuar me makinën e mbeturinave. Në thelb ankesa është e drejtë dhe duhet të ishin marrë masat për ta kryer evakuimin me mjete më dinjitoze. Sikundër duhet të kishte pasur shtet dhe të mos i lejonte të ndërtonin në zona ku vihej në rrezik koka e tyre dhe e qytetarëve të tjerë.
Vendimi për t’i legalizuar fillimisht dhe më pas në varësi të planeve të zhvillimit, për t’i kompesuar me paratë e taksapaguesve, u jep atyre të drejtën të ankohen për kushtet e transportit. Madje të frymëzuar nga blerjet e fundit të makinave për zyrtarët e lartë, mund të paracaktojnë edhe markën e automjetit që do të dëshironin të largoheshin nga rreziku për jetën. Në fund të fundit, qeveria aktuale e ka marrë përsipër t’ua formalizojë paligjshmërinë, përmes një fature financiare që është e pamundur të përllogaritet në këtë fazë.
Pas legalizimit, duhet të ndodhë kthyerja e zonave të dikurshme informale në komunitete të jetueshme, që do të duan intrasktrukturë, shkolla, kopshte, parqe. Të gjitha këto kanë një çmim dhe këtë çmim të rritur edhe falë legalizimeve, do ta paguajnë të gjithë shqiptarët, edhe ata që nuk e shkelën ligjin duke ndërtuar pa leje në kohërat kur institucionet shtetërore ishin inekzistente. Afro gjysëm milioni qytetarë të këtij vendi kanë mundësi të legalizojnë një pronë që u takon moralisht, por që shkakton një problem moral dhe financiar, me atë që mund të quhet pjesa e ndershme dhe jo abuzuese të shoqërisë.
Ndaj, ata që janë të indinjuar me mungesën e ujit, me rrugët e përmbytura, me mënyrën e transportit, duhet të pajtohen edhe me idenë se një pjesë e taksave të tyre do të shkojë për kompesimin e atyre familjeve që në pamundësi për ta ndërtuar jetën në zona të thella të vendit, kanë zbritur pranë qyteteve të mëdha, duke ndërtuar shtëpi një, dy ose shumë katëshe.
Është e drejtë e pamohueshme e kësaj kategorie familjarësh të futen në binarët e ligjshmërisë, por mënyra sesi po ndodh ky proces duhet të ishte sfiduar më shumë nga opinioni publik, i cili duhet të ishte më shumë se spektator gjatë ceremonive të legalizimit plot batuta dhe humor nga udhëheqësi.