Copvid-19 tashmë zyrtarisht është futur edhe në Burgun e Beratit.
Një rast i ri me COVID-19 është shënuar sot brenda ambienteve të IEPV-së Berat, duke rikthyer sërish frikën dhe panikun mes të burgosurve dhe gjithë administratës së burgut të Beratit, shkruan Balkanweb.
Përgjegjësi i Regjimit të Brendshëm në këtë institucion të vuajtjes së dënimit është infektuar me koronavirus.
Ai kishte shfaqur prej disa ditësh shenjat e infektimit dhe pasi kreu ditën e djeshme tamponin, rezultoi “pozitiv”. Përgjigjja “pozitive” e tamponit të punonjësit tē Burgut të Beratit, që ka mbërritur pranë DSHP-së Berat mesditën e sotme, ka bërë që të dezinfektohet të gjitha ambjentet e Burgut të Beratit dhe të mbyllen për dy javë disa sektorë të regjimit të brendshëm në këtë institucion.
Kolegët e tij të zyrës por edhe personat e kontakteve të tij të përditshme brenda këtij institucioni janë karantinuar, deri në mbërritjen e përgjigjeve të tamponëve që kanë bërë ditën e sotme, ndërkohë që 2 rastet e tjetra të regjistruara zyrtarisht sot nga Ministria e Shëndetësisë rezultojnë të jenë kontakte të rasteve të mëparshme.
Aktualisht në të gjithë qarkun e Beratit vijojnë të jenë aktivë 69 persona me COVIVD-19. Që nga periudha e fillimit të pandemisë COVID-19 në qarkun e Beratit janë regjistruar vetëm 2 vdekje.
Ky është një nga 3 rastet që janë publikuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa, dy rastet e tjera janë kontakte të rasteve të mëparshme familjare.
g.kosovari