Nga Skënder Minxhozi
Kishte shumë kureshtje në ajër të enjten pasdite, rreth asaj që kryeministri kosovar dhe presidenti serb e kishin komentuar si një marrëveshje të madhe e historike, që do të nënshkruhej në Zyrën Ovale. Natyrshëm hija e rëndë e zyrës presidenciale amerikane, me të zotin e saj në krye të vendit, mes Vuçiç e Hotit, ja shtonte pritshmërinë një marrëveshjeje, e cila duhet thënë, ishte në ajër prej kohëve kur Thaçi predikonte korrigjimin kufitar. Si i tillë, ky akord mes dy palësh që ende urrehen, ka marrë në kohë forma të ndryshme, tamam si një salamandër diplomatike, që nga shkëmbimi i krahinave e njohja e ndërsjellë, e deri tek teksti i sotëm me hekurudha e pika doganore, i nënshkruar në praninë e Donald Trump. Çka e bën dokumentin e sotem de facto një ujdi tregtare e ekonomike…me Izraelin në sfond! Madje njohja që ky i fundit i bëri Kosovës, është ndoshta një lajm edhe më i madh se shtrëngimi i duarve mes Vuçiç e Hotit në zyrën Ovale.
Që të pranishmit në zyrën e presidentit Trump, por edhe opinionet publike në rajonin e Ballkanit, i dinë më mirë se vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë përmasat dhe peshën e marrëveshjes së sotme Trump-Vuçiç-Hoti, këtë e tregon edhe mesazhi në twitter i Donald Trump, i cili përgëzonte faktin që një vend më shumicë muslimane si Kosova, kishte normalizuar marrëdhëniet me Izraelin. Të tjera vende arabe vijnë më pas, njoftonte Trump, duke e radhitur tinëz Kosovën në një listë vendesh të cilës nuk i ka përkitur kurrë. Një dredhi e vogël diplomatike kjo, në mesin e një fushate elektorale të vështirë për presidentin amerikan.
Ta themi hapur që në fillim: nuk ishte hekurudha Nish-Prishtinë thelbi i krizës mes Kosovës dhe Serbisë. Ashtu siç nuk ishte dhe është as pastrimi i territorit serbo-kosovar nga antenat (fantazëm) 5g të Huaweit. Kriza mes dy vendeve ka rrënjë të thella historike, që nisin shumë kohë para se teknologjia 5g të shpikej, e që në marrëveshje nuk u trajtuan. Kufizimi i marrëveshjes në kuadrin ekonomik, mënjanoi atë që mesa duket përbën momentalisht një pengesë të pakalueshme edhe për diplomacinë amerikane në Ballkan: një kompromis tërësor dhe përfundimtar mes serbëve e kosovarëve që do të sillte njohjen e ndërsjellë, shbllokimin e procesit të integrimit evropian dhe hyrjes në NATO për Beogradin dhe të njohjes së përbotshme të shtetit kosovar, si subjekt i të drejtës ndërkombëtare me të drejta të plota.
Marrëveshja e Uashingtonit arriti të bëjë të heshtin gojët politike në Tiranë e Prishtinë, që e shanë dhe mallkuan pa frena Shengenin Ballkanik, kur atë e propozoi Edi Rama. Ky është një sukses i vogël i marrëveshjes, por edhe një dëshmi e rradhës sesa skuthë e hileqarë janë politikanët e kësaj ane të botës.
Në marrëveshjen e të enjtes mes Serbisë e Kosovës, nuk u pa shenjë e korrigjimit kufitar. Një provë se ajo konjukturë e rrezikshme që e lejoi këtë tezë të marrë formë dhe peshë, tashmë duket e tejkaluar si në Uashington, ashtu edhe në Prishtinë e Beograd. Profili i ulët i marrëveshjes ngjan më shumë si një akt noterik i hartuar shpejt nga një administratë amerikane që kërkon një sukses diplomatik në kohë fushate elektorale, sesa si një qasje serioze ndaj krizës serbo-kosovare. Një hap i parë, më shumë se një akt historik tërësor e shterrues.
Si e tillë, marrëveshja, e shoqëruar me lajmin e njohjes nga Izraeli të Kosovës, është më shumë një ngjarje që i bën punë presidentit Trump në këtë vjeshtë zgjedhjesh, sesa vetë palëve të interesuara ballkanike. Thelbin e asaj që ndodhi e përmblodhi më së miri Xho Bajden, kandidati presidencial demokrat, i cili deklaroi pas ceremonisë se “Kosova duhet të jetë e pavarur, jo pjesë e Serbisë”. Thjeshtë, qartë dhe shkurt.