Nga Alfred Peza
I patë të gjithë besoj sesi hynin e dilnin një e nga një me radhë në selinë e Presidencës, për të konsultuar me Ilir Metën, firmosjen e dekretit të zgjedhjeve të reja të pranverës së ardhëshme. Ishte parada e liderëve të politikës shqiptare, ku me përjashtim të përfaqësuesve të PS, të gjithë e kishin mësuar përmendësh datën 18 prill si ditën e votimeve më 2021 dhe… ato fjalët e tjera, që vinin më pas. Ishin ata pra, oferta më “e re”, që shqiptarët mezi po presin që të rikthehen në pushtet si shpëtimtarë.
Prej 2013 që kanë ikur, e deri tani që duan të vijnë përsëri si një shpresë e re, si një mundësi e re, si një fillim i ri, si start dhe alternativë e re…, janë po ata. Janë të njëjtët. Janë po ata që ishin edhe përpara 2013. Edhe përpara 2005. Edhe përpara 1997. Edhe përpara 22 marsit 1992. Madje, edhe përpara 1990. Janë ata pra. Të përhershmit. Të pazëvendësueshmit. Të pandryshueshmit. Të paimitueshmit. Të panegociueshmit. Liderët e vjetër të opozitës sonë “të re”.
Janë po ata “të rinjtë” e vjetër të politikës shqiptare. Ata që e duan pushtetin sërisht e sërisht, për herë të tretë, të katërt a të pestë, në emër të së resë. Në emër të ndryshimit. Në emër të të rinjve. Në emër të progresit. Në emër të së ardhmes. Janë po ata, që ju thanë në dhjetor 1990 dhe në takimin e përfaqësuesve të studentëve me Ramiz Alinë, se “e duam Shqipërinë, si e gjithë Europa”. Janë po ata, që sot po ju thonë se duam të vijmë në pushtet për më 2025, në emër të “integrimit Europian”.
Po ju thonë të njëtën gjë për 35 vjet me radhë. Sepse janë të njëjtët. Janë po ata që erdhën në emër të një modeli tjetër nga ai i Enver Hoxhës që qëndroi për 40 vjet në pushtet. Me një ndryshim thelbësor: Ai në monizëm, e këta në pluralizëm. E pra, asnjë dhe asgjë, nuk ka ndryshuar. As kanë ndërmend të ikin, e aq më pak të ndryshojnë. Janë po Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Agron Duka, Shpëtim Idrizi, Fatmir Mediu, Vangjel Dule, etj. Të gjithë bashkë, vetëm këta, prej të paktën 250 vjetësh në politikën shqiptare. Një çerek mijëvjeçari!
E po ti dëgjosh çdo ditë kur flasin, kur bëjnë deklarata, kur komunikojnë me mediat, kur debatojnë, kur diskutojnë, kur japin intervista, kur bëjnë shkrime apo statuse në rrjetet sociale, janë ata që na shfaqen si shpëtimtarët. Si ata të vetmit që do i hapin rrugën rinisë dhe të rinjve që të ecin përpara për ta bërë më në fund këtë vend. Janë ata që përbetohen se të rinjtë dhe të rejat, janë e ardhmja e politikës dhe e të gjitha fushave të jetës shoqërore të këtij vendi. Janë e ardhmja e Shqipërisë europiane.
E kur i pyet se përse nuk janë bërë deri më sot të gjitha këto gjëra që thonë, ose disa prej tyre të paktën, përgjigjen e kanë në majë të gjuhës. E dini besoj, të gjithë sepse e keni mësuar përmendësh: Fajin e ka Edi Rama! Edhe kur pyesin se përse të rinjtë kanë ikur sistematikisht në këtë vend, prej 30 vjetësh me radhë që nga 2 korriku 1990, të përgjigjen si për çdo gjë tjetër që e trumbetojnë si të keqe në këtë vend: Fajin e ka Edi Rama! Por ja, sa të rikthehen ata në pushtet, se gjërat do ndryshojnë si me magji sa hap e mbyll sytë…
Ashtu siç i ndryshuan edhe kur ishin në pushtet, nga viti 1992 e deri më 1997 kur e shkrinë shtetin për 24 orë si akullorja në diell. Siç i ndryshuan kur u rikthyen sërisht nga 2005 deri në vitin 2013. Për ti ndryshuar sërisht e sërisht, si njëherë e një kohë e si gjithmonë, edhe tani e tutje. Prandaj, e duan pushtetin këtë radhë. Madje duke patur një arësye, edhe më madhore se herët e tjera, sepse u duhet që ta mbajnë për 8 vjet të tjera, nga 2021 deri në vitin 2029. A e dini pse? Sepse atëherë bëjnë fiks plot 40 vjet që do të jenë sërisht po aty ku kanë qenë, e ku janë sot. Në politikë.
Madje po të ishte për ta, e donin pushtetin më herët, shumë më herët se në zgjedhjet e radhës së pranverës së vitit të ardhshëm. I dëgjuat prapë besoj sot, kur dolën nga zyra e Presidentit të Republikës dhe thanë se zgjedhjet do të duhej të zhvilloheshin 2 vjet përpara, kur ata dogjën mandatet dhe dolën nga Parlamenti në rrugë. Ca të tjerë thanë se zgjedhjet do të duhej të ishin bërë sot dhe jo nesër. E ca të tjerë akoma prej tyre, i donin zgjedhjet, në datën më të parë të mundshme.
A keni parë deri më sot, ndonjë program të ri elektoral, nga ana e opozitës sonë të rrugës? A keni parë ju sesi e kanë projektuar ndërtimin e shtetit të së drejtës? A keni parë ndonjëherë programin e tyre ekonomik? Po atë social? Mënyrën sesi do ta bëjnë Shqipërinë ndryshe, e a keni lexuar? Si do e ndalojnë përfundimisht,- siç thonë sot,- rrjedhën e emigracionit? Po arsimin, shëndetësinë e demokracinë…,- si do ti bëjnë? A e dini?
Jo. As keni parë, as keni për të parë asnjëherë asgjë. As sot. As nesër. As deri më 18 prill 2021. Asgjë nuk do tju paraqesë, askush prej tyre. Kurrë. A e dini pse? Sepse e vetmja ofertë që kanë, e vetmja gjë e re që ata kanë këtë radhë për ju, është ajo e vjetra e tyre e përherëshme. Janë ata vetë. Janë po të njëjtët: Ata të vjetrit e përjetshëm. Liderët e opozitës sonë “të re”!