Nga ARTUR AJAZI
Presidenti i vendit, ka pritur dje në selinë e tij, kryetarët e Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, dhe padyshim edhe të LSI, për të folur mbi paracaktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2021. Ilir Meta, ka zhvilluar takime të veçanta me kryeministrin Edi Rama , me kryetarin e PD Lulzim Basha, por edhe me zonjën e tij Monika Kryemadhi, për të “ndarë” me ata mendimin mbi datën e dakortësuar të zgjedhjeve, të cilat sipas tij “duhet të pastrojnë politikën shqiptare”.
E ndërsa zoti Rama nuk ka komentuar takimin me kreun e shtetit, Lulzim Basha ka nxituar të dalë para mediave sapo është përshëndetur me Ilirin, dhe ka shprehur gatishmërinë e ish-opozitës për “të bërë një orë e më parë zgjedhje, për të ndryshuar qeverisjen, pasi mjekët duan rritje pagash, arsimtarët gjithashtu por edhe pensionistët”. Lulzim Basha duket se ka humbur sensin e kohës dhe efektin e takimeve zyrtare. Ai ka humbur tanimë, edhe energjinë alternative brënda vehtes, pasi kur shkon takon Metën, i duket sikur takon Dash Shehun, kur takon Monikën i duket sikur ka takuar ndonjë ambasadore. Atij i është mbushur mëndja “top” (ose bën sikur) se, “vetëm afrimi dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja do ti japin pushtetin PD”. Por në një mëndje me Lulzimin, është fatkeqësisht edhe Ilir Meta.
Nuk ka ditë dhe “qokë” që ai bën jashtë Tiranës, ku të mos godasë “malin” me gurë, ku të mos lëshojë akuza dhe thirrje madje edhe antiligjore, ndaj qeverisë, ndaj Edi Ramës, ku të mos lëshojë kushtrimin për të rinjtë (edhe pse e dëgjojnë vetëm ata që mbledh në Jalë) duke i ftuar të “marrin në dorë fatet e vendit”. Cilit vënd, të atij që është mbushur me vilat dhe pallatet e tij dhe milionerëve të SHQUP-it dhe LSI, apo të marrin në dorë “fatet e vendit”, duke kërkuar rrëzimin e Edi Ramës, dhe hipjen në pushtet të Lulzimit, Doktorrit, Monikës dhe Fatmirit ? Duket sikur paracaktimi dhe dakortësia e një date për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, do të jetë “shpëtimi” i Ilir Metës dhe Lulzim Bashës.
Duhet të jenë ose naivë, ose shumë të zgjuar. Mendoj se janë naivë. Shqiptarët kurrën e kurrës, nuk do të gabojnë më, të votojnë në shumicë për partinë e rrënimit, për partinë e fajdeve, për partinë e Gërdecit, për partinë e bosëve të “boronicës” dhe atyre që i kanë punuar “Qindin” këtij populli. Shqiptarët do të votojnë edhe në 2021 për Partinë Socialiste të Edi Ramës (jo sepse kjo qeveri nuk ka gabuar) sepse janë të bindur se vetëm me një kryeministër si ai, vendi po përballet me krizat dhe pandemitë, duke i sfiduar ato. Sepse vetëm me një kryeministër si Edi Rama, vendi ka shansin të integrohet, pasi vetëm ai ndjehet mes kancelarëve dhe burrave të shtetit në Europë, si i barabartë mes të barabartëve, dhe jo si inferior. Lulzim Basha dhe Ilir Meta, mbajnë vehten me gajret dhe “çoç ujdisin” mes tyre, edhe kur paracaktojnë takime “formale” në Presidencë.
I pari nxiton të dalë para kamerave dhe të buzëqeshë, duke deklaruar se “dita e madhe po afron”, kurse i dyti, rri mendueshëm prapa perdes së zyrës, duke menduar dhe duke u lutur për “fitoren e Monikës”. A thua se data e zgjedhjeve do ti shpëtojë ata të dy, nga humbja, nga largimi, nga ndëshkimi. Në zgjedhjet e reja parlamentare të 2021, Basha dhe Meta, do të marrin nga shqiptarët haraçin që u takon, për çfarë kanë bërë në këto vite. Edi Rama kërkoi “800 mijë vota”, por e siguroi se do të jenë mbi 1 milion sërish , pasi shqiptarët do të votojnë kësaj here jo vetëm për mandatin e tretë të socialistëve, por edhe për largimin e atyre që e mbajnë peng me dhunë të ardhmen e vendit.
Takimi është zhvilluar sot, fatë 4.9.2020 e jo dje, sikunder shkruan autori në artikull.