Rakitic është kthyer te Sevilla. Duke qenë se e ka hedhur pas krahëve eksperiencën 6-vjeçare me Barcelonën, ia lejon vetes “t’i shpëtojë” edhe ndonjë sekret prej andej. Në fakt, më shumë se sekret, fjalët e kroatit denoncojnë realitetin që ka ekzistuar në “Camp Nou”. “Thumbimi” i nënkampionit të botës përfshin dy emra, Vidal dhe Messi, por me gjasë ka si target kryesor të parin. Indirekt nuk mbetet pa gjë edhe ylli argjentinas, se ka pasur ndikim në gjithçka, edhe në formacionin e Barcelonës. Ndryshe nuk mund të “përkthehet” deklarata e tij se “ndoshta Vidal luante rregullisht, sepse ishte shok i Messit”.
Pra, fjalët e tij të para si lojtar i ri i Sevilla janë të mbushur me helm për të kaluarën e afërt. Dy ish-shokët e tij të skuadrës thumbohen hapur, ndoshta edhe si pasojë e provokimit nga pyetja e gazetarit: “A luante Vidal, sepse ishte mik i Messit?” Kroati nuk e “kafshon gjuhën”: “Nuk e di, por gjithmonë e vura veten në dispozicion të trajnerit, edhe pse nuk i kuptoja disa vendime. Sidoqoftë, për të mirën e grupit e bëra këtë. Nuk mund të them me siguri që unë dhe Messi ishim miqtë më të mirë, por ai gjithmonë më trajtonte me korrektësi. Kurrë nuk më foli për gatishmërinë e tij për t’u larguar nga Barça, e dëgjova nga media. Ndoshta Vidal luante rregullisht se ishte shok i Messit, ndërsa unë jo”.
g.kosovari