“Shumica e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje sot jo nesër, ata duan zgjidhje se janë të lodhur nga propaganda dhe mashtrimet, shqiptarët kanë neviojë urgjente për punë”.
Kështu deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha pas takimit konsultues që pati me Presidentin Ilir Meta, për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.
Ai tha se për opozitën e rëndësishme është që procesi të jetë i lirë dhe i ndershëm.
Më tej Basha citoi fjalët e Nënë Terezës duke thënë se, “E nesërmja nuk ka ardhur akoma, ndaj të fillojmë të punojmë që sot për të nesërmen”.
Në orën 12.30 në takim do të jenë përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryetaren Monika Kryemadhi dhe sekretarin e përgjithshëm të LSI, Endrit Braimllari.
Në 17.30 pritet të shkojë në Presidencë edhe përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari. Pas këtyre konsultave kreu i shtetit pritet të dalë me një datë për zgjedhjet e vitit 2021.
/a.r