Nga Mentor Kikia
Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS-së, kryeministri Rama iu referua “një udhëheqësi të madh”, kur tha. “Mos pyet se çfarë do të bëjë Partia Socialiste për ty, por çfarë do të bësh ti për Partinë Socialiste”.
Padyshim që Rama dhe shumëkush e di që thënia e famshme është e presidentit Xhon Kenedi, edhe është “Mos pyet çfarë do të bëjë Amerika për ty, por çfarë do të bësh ti për Amerikën”.
Padyshim që Rama e modifikoi atë, duke ia përshtatur një forumi partiak.
Në këto zgjedhje, ne do të duam të dëgjojmë një bilanc, jo thjeshtë të një qeverie, por një bilanc të çdo partie e të çdo politikani. Bëhen plot 30 vjet nga ndarja prej regjimit komunist.
Të gjithë politikanët kanë bërë gjithëçka për partitë e tyre, dhe partitë ka bërë gjithçka për ta. Tani ne duam të dëgjojmë se çfarë kanë bërë ata për Shqipërinë.
Nëse do të rendisja disa nga të këqijat “me përmasa historike”, që i kanë bërë Shqipërisë, do të ishin:
-Shkatërrimi i konkurencës në biznes. Në çdo fushë, në vend të garës së ndershme, këtu u instalua rryshfeti. Paguaj për të fituar.
-Futja e praktikës së shitblerjes së votës. Para, premtime për vende pune dhe favore të tjera në këmbim të votës. Kjo praktikë dërrmoi edhe atë fije demokracie që ne prienim të instalohej.
-Shkatërrimi i tokës bujqësore, duke lejuar pushtimin-mbjelljen e saj me shtëpi anë e mbanë.
-Shkatërrimin e pronës fizike që u trashëgua nga komunizmi, në emër të luftës kundër komunizmit.
-Shkatërrimin e bregdetit dhe pyjeve, si pasojë e babëzisë dhe mosfuksionimit të ligjit.
-Krijimi i një shoqërie ekstremesh, me një hendek të llahtarshëm mes 95% të shoqërisë dhe 5% të oligarkisë.
Të gjitha këto konvergjuan në dëmin më të madh: Arratinë e njerëzve dhe vrasjen e shpresës se një ditë edhe këtu do të mund të jetohet normalisht.
E kuptoni për çfarë vizionesh kemi nevojë ne si shoqëri në këto zgjedhje? Nuk na plas fare se kush do të bëjë 100 kilometra më shumë rrugë, apo kush do të rrisë pensionet me 2 mijë lekë të vjetra.
Këtu duhen gjeneruar ide të mëdha, që të përmbysin ca realitete(Korrupsioni) dhe perceptime vrastare per shoqerine(Humbja e shpreses).
Ne kemi nevojë për udhëheqës që ta duan vërtet këtë vend, jo si trofe të luftës politike, por si ATDHE
Ne skemi nevojë për rrotacion, por për revolucion ideshë.
P.S: Fotoja me lart: Viti 1991, shqiptarët u sulen linjave telefonike dhe këpusin e grabisin telat. Pak më vonë u shkulën edhe shinat e linjave hekurudhore dhe pak më vonë edhe uzinat, për tu shitur për skrap.