Një operacion i policisë së Gramshit i koduar “Droni 2020”, për goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, ka vënë në pranga dy persona.
Të arrestuarit janë Elton Xhelili, 37 vjeç, banues në fshatin Grabovë, Gramsh dhe Erlin Tusha, 33 vjeç, banues në Burrel.
Si rezultat i kontrollit të territorit me anë të dronit dhe informacioneve të marra në rrugë operative se të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Grabovë e Poshtme, Gramsh, kishin kultivuar bimë narkotike, si dhe falë punës së mirorganizuar dhe reagimit në kohë, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur evidentimin dhe goditjen e këtij rasti.
Në vijim të hetimeve, në lokalin e shtetasit Erlin Tusha, shërbimet e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa fara të dyshuara si fara kanabisi.
Aktualisht vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që janë të implikuar në ketë veprimtari kriminale, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.
g.kosovari