Policia e Shkodrës ka arrestuar një 36-vjeçar, i cili dyshohet se është i implikuar në plagosjen me armë zjarri të ndodhur pasditen e djeshme.
Në pranga ka rënë i riu Z. L., pasi sipas policisë, pas ngjarjes ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi Tonin Larushku, ka qëlluar me armë gjahu, në drejtim të mjetit të autorit, i cili gjendej i parkuar në rrugicën para banesës.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur dje më datë 01.09.2020 ku në vendin e quajtur “Prek Cali”, ka mbetur i plagosur me armë zjarri shtetasi T. L., policia ka vënë në pranga një shtetas të implikuar në këtë ngjarje.
Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, u bë ndalimi i shtetasit Z. L., 36 vjeç, banues në Shkodër.
Nga hetimet ka rezultuar që ky shtetas pas ngjarjes ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi T. L., ka qëlluar me armë gjahu, në drejtim të mjetit të autorit, i cili gjendej i parkuar në rrugicën para banesës. Si pasojë e të shtënave është lënduar lehtë nga një saçme shtetasi B. D., 33 vjeç, banues në Shkodër, i cili pas mjekimit të marrë në Spitalin Rajonal Shkodër është larguar në banesë.
Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e gjahut, të cilën shtetasi Z. L., e kishte me lejen përkatëse.
Vijon puna për kapjen e shtetasit L. K., i dyshuar si autori i plagosjes me armë zjarri të shtetasit T. L.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë me prova ligjore të kësaj ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Plagosja e lehtë”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kanosja”.
/e.rr