Nga Karol Bachura*
“Solidarnost” (polonisht: Solidarność) Sindikatat e Pavarura Vetëqeverisëse u themeluan në gusht 1980 në Kantierin detar Lenin në Gdańsk, Poloni. Ato ishin Sindikatat e para të pavarura në një vend të Traktatit të Varshavës të njohura nga shteti. Anëtarësia e sindikatave arriti në 10 milion në shtator 1981, duke përfaqësuar kësisoj mbi 1/3 e popullsisë në moshë pune të vendit. Udhëheqësit të Solidarnost, Lech Wałęsa, ( LehVallensa) iu dha çmimi Nobel për Paqen në 1983 dhe sindikatat, u pranua gjerësisht, që luajtën një rol esencial në përmbysjen e sistemit komunist në Poloni.
Kur në tetor 1978, kardinali Karol Wojtyła u zgjodh si Papa Gjon Pali II, im atë më tha që kjo ditë shënon fillimin e fundit të komunizmit – dhe, si gjithmonë, Ai ishte i saktë – siç janë baballarët zakonisht. Në qershor 1979, gjatë vizitës së parë të Papës Gjon Pali II në vendin e tij të lindjes dhjetëra milionë polakë dolën për të përshëndetur Papën e parë polak. Gjatë predikimit në Varshavë, Papa Gjon Pali II deklaroi: «Le të çlirojmë shpirtin. Të çlirojmë shpirtin dhe të ndryshojmë faqen e tokës. Kësaj toke! “ .
Vetëm një vit më vonë, në kohën e Lojërave të 22-ta Olimpike Verore në Moskë, të bojkotuara nga 66 kombe për shkak të luftës sovjeto-afgane, lëvizja Solidarnost erdhi në jetë fillimisht si një përgjigje ndaj shkarkimit nga puna në kantierin e anijeve të zonjës Walentynowicz disa muaj para se ajo të dilte në pension. Ky vendim administrativ revoltoi punëtorët e kantierit, të cilët organizuan një grevë në mes të gushtit në mbrojtje të zonjës Walentynowicz duke kërkuar kthimin e saj të menjëhershëm në punë. Lech Wałęsa, një saldator në kantierin e anijeve, edhe ai i pushuar nga puna, u bashkua me grevën në kantierin e anijeve.
Lëvizja Solidarnost u shfaq më 31 gusht 1980 në kantierin detar në Gdańsk kur qeveria komuniste e Polonisë nënshkroi marrëveshjen që përmbante 21 pika, përfshirë edhe ekzistencën e vetë Solidarnost-it. Në mes të shtatorit, mbi njëzet Komitetet Themeluese Ndër-fabrike të sindikatave të lira u bashkuan me kongres në një organizatë mbarëkombëtare Solidarnost, e cila zyrtarisht u regjistrua si Sindikatë e Pavarur Vetëqeverisëse në nëntor të të njëjtit vit.
Lech Wałęsa me të tjerë krijuan një lëvizje të gjerë anti-sovjetike duke nisur nga njerëzit e lidhur me Kishën Katolike e deri tek anëtarët e të majtës anti-sovjetike. Nacionalizmi polak, sëbashku me liberalizmin pro-amerikan, luajtën një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Solidarnost-it në vitet ’80. Në shtator 1981, Kongresi i parë Kombëtar i Solidarnost-it zgjodhiVallensën si president të saj dhe miratoi një program republikan. Përpjekjet e qeverisë në fillim të viteve ‘80 për të shkatërruar sindikatat përmes imponimit të ligjit ushtarak në Poloni dhe përdorimi i shtypjes politike dështoi. Me punën e fortë ilegale në terren, me një mbështetje të konsiderueshme financiare nga Vatikani dhe Shtetet e Bashkuara, sindikatat mbijetuan dhe pas fundit të vitit 1980 kishin hyrë në negociata me qeverinë. Bisedimet në Tryezën e Rrumbullakët të vitit 1989 midis qeverisë dhe opozitës së udhëhequr nga Solidarnost, prodhuan marrëveshje për zgjedhjet legjislative të vitit 1989, zgjedhjet e para pluraliste të vendit që nga viti 1947, të cilat u mbajtën më 4 qershor 1989. Deri në fund të gushtit, u formua një qeveri e koalicionit të udhëhequr nga Solidarnost dhe në dhjetor Tadeusz Mazowiecki u zgjodh Kryeministër. Ndërsa në dhjetor 1990, Wałęsa u zgjodh President i Polonisë.
Qëndrueshmëria e Solidarnost-it përbënte një fenomen të paprecedentë jo vetëm në Poloni, një shtet satelit i BRSS sunduar (në praktikë) nga një regjim komunist një partiak, por në tërë Bllokun Lindor. Kjo do të thoshte një thyerje në qëndrimin e ashpër të Partisë Komuniste të Punëtorëve të Bashkuar Polakë, e cila kishte shtypur me armë zjarri një protestë të vitit 1970, dhe më gjerë të qeverive komuniste prosovjetike në Bllokun Lindor, që bashkë me invadimet sovjetike shtypën edhe kryengritjen e hungarezëve në vitin 1956 dhe Pranverën e Pragës të vitit 1968.
Ndikimi i Solidarnost-it çoi në intensifikimin dhe përhapjen e idealeve dhe lëvizjeve antikomuniste në të gjitha vendet e Bllokut Lindor, duke dobësuar qeveritë e tyre komuniste. Si rezultat i Tryezës së Rrumbullaktë, në qershor 1989, në zgjedhjet e para pjesërisht të lira në një vend të Bllokut Sovjetik, në parlamentin polak u krijua Dhoma e Lartë, Senati. Solidarnost fitoi 99 nga 100 vendet në Senat dhe 161 ulëse në Parlament (Sejm). Solidarnost prodhoi kësisoj një reaksion zinxhir në vendet satelite të Bashkimit Sovjetik, duke u bërë frymëzim për revolucione totalisht paqësore anti-komuniste në Europën Qendrore dhe Lindore, të njohura si revolucionet e vitit 1989, të cilat u kurorëzuan edhe me shpërbërjen e vetë Bashkimit Sovjetik në fillim të vitit 1990.
Në epokën COVID, shpresoj që fjala Solidaritet rifiton një domethënie të re në skenën ndërkombëtare dhe qasja e re duhet ta zhvendosë peshën nga “mua” në “neve”, nga “Unë” në “Ne”, ashtu si në fjalët e Leh Vallensës, me të cilat nisi fjalimin e tij të parë para Kongresit Amerikan më 15 nëntor 1989, duke cituar Kushtetutën Amerikane: “Ne, Populli (…)”.
*Ambasador i Republikës së Polonisë në Shqipëri