Agjencia spanjolle për farmaceutikën ka autorizuar ditët e fundit eksperimentimin në Spanjë të një prej vaksinave kandidate që po përgatiten anembanë botës kundër koronavirusit.
Ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa bën me dije se po ashtu ka nisur me shpejtësi absolute dhe rekrutimi i vullnetarëve që do të testojnë këtë vaksinë.
Vaksina e “Janssen”, në pronësi të kompanisë amerikane Johnson & Johnson, do të eksperimentohet tek 190 vullnetarë të shëndetshëm në Spanjë për t’i bashkuar më pas dhe 400 persona të tjerë në Holandë dhe Gjermani.
Situatë e paprecedentë në Francë
Franca po përballet me një situatë të paprecedentë të Covid-19. Mbi 6 mijë të infektuar u regjistruan vetëm në 24 orëshin e fundit, një nivel që nuk ishte arritur as gjatë periudhës së masave bllokuese që ishin në fuqi mes Marsit dhe Majit.
Prej kësaj të premteje, në Paris maska është e detyruar në të gjitha ambientet e jashtme. Për këdo që shkel rregullin parashikohet gjobë 135 Euro. Jo vetëm në Paris, por edhe në qytete të tjera të mëdha si Marseja, maskat janë të detyrueshme në ambiente publike.
Mbi 1500 raste infektimesh u regjistruan këtë 24 orësh në Gjermani, ku kancelarja Merkel shpalli ashpërsimin e disa masave kundër përhapjes së Covid-19.
Merkel tha se situata që po kalon aktualisht vendi është e paqartë, ndaj bëri thirrje për shtimin e masave mbrojtëse, pasi në Shtator vendi do të përballet me një situatë të paqartë, ku gjithçka është e mundur.
Autoritetet nuk do të lejojnë tifozët në stadiume të paktën deri në fund të vitit, ndërsa fëmijët duhet të mbajnë maska në shkollë që nga klasa e parë.
E njëjta masë për fëmijët në shkolla është edhe në Spanjë, ku po ashtu ka shtim të ndjeshëm të infektimeve ditore.
Situata po përkeqësohet edhe në Britaninë e Madhe. Me afrimin e vjeshtës duket se asgjë nuk është më e sigurtë, pasi edhe Koreja e Jugut, që shquhej për mbajtjen nën kontroll të pandemisë, ka pasur një rritje të ndjeshme të infektimeve ditore.
g.kosovari