Paraditen e të premtes mblidhet Këshilli Përhershëm i OSBE në një takim të dedikuar tërësisht krizës në Bjellorusi. Kryeministri Edi Rama në kapacitetet e kryesuesit të OSBE do ti adresohet këshillit me një fjalë.
Ka një pritshmëri të lartë për fjalën që zoti Rama do t’i drejtojë nesër Këshillit, pasi i gjithë krahu perëndimor i vendeve të OSBE, përfshirë Bashkimin Europian dhe vetë kancelarinë gjermane, ia kanë besuar kryeministrit shqiptar luajtjen e gurëve për të hapur shtegun e dialogut deri tani të pamundur në Bjellorusi.
Nga Vjena, kryeministri Rama zhvilloi një intervistë me gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, ku foli për situatën në Bjellorusi, por edhe për çështjen më të nxehtë në vend atë të “zgjerimit të detit nga ana e Greqisë”.
Ju gëzoni besimin e ndërkombëtarëve, nga BE, Merkel apo edhe SHBA, por duhet të marrë edhe një rol i Rusisë, sa mund të negociohet situata në Bjellorusi?
Rama: Nuk bëhet fjalë për të negociuar krizë, por për krijimin e një mundësie komunikimi mes palëve, që po shkojnë në një konfrontim me pasoja të mëdha me të gjitha palët. Nuk bëhet fjalë për një punë individuale, por me një punë që lidhet me një organizatë të tërë dhe me një grup të madh njerëzish. Unë mendoj që kjo është gjëja e duhur dhe më vjen mirë që iniciativa jonë që ishte në një moment të vështirë dhe kaotik, mori kaq shumë vëmendje dhe ka marrë mbështetje të plotë në të gjitha nivelet. Nuk është refuzuar por mbështet edhe me një rezervë nga Rusia.
Keni dërguar një letër për Lukashenkon, keni marrë një përgjigje?
Rama: Nuk kemi përgjigje. Po të kishim do kishim shkuar në Minsk, por kjo është detyra e OSBE dhe puna. Durimi është pjesë e rëndësishme e kësaj detyre.
A keni kontakte me opozitën në Bjellorusi?
Rama: Jo se kemi preferuar të mbajmë një pozicion krejtësisht të baraslarguar nga të dy palët. Arsye pse dërguam letrën është se për të shkuar në Minsk duhet një aprovim dhe nuk mund të shkohet pa të. Vetëm nëse bëjmë selfie në protestë. Dhe jo nuk është puna ime dhe detyra ime. Jemi për të lehtësuar komunikimi me kushtet e krijuara. Kjo i takon popullit dhe autoriteteve Bjelloruse. Të dy palëve dhe nuk i takon OSBE apo kushdo qoftë që të zgjidhje. Por Bjellorusia është anëtare dhe është instrumenti i duhur nëse pranojnë këtë ofertë./Tch
/e.rr