Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punën për ndërtimin e stacionit të ri Zjarrfikës në Kinostudio, ku u shpreh se ky investim do t’i shërbejë dy zonave kryesore të kryeqytetit dhe i përshtatet më së miri Tiranës.
“Jemi duke punuar në kohë rekord, që të kemi një stacion të ri zjarrfikës në Tiranë pas 40 vitesh. Ky stacion, i cili ndodhet në Kinostudio, akseson fare lehtë edhe Unazën ekzistuese, por edhe Unazën e Re. Ai do t’i shërbejë një komuniteti, i cili po rritet shumë vitet e fundit. Shtesa që kemi bërë, si në rroga për zjarrfikësit, në mjete, në uniforma, por edhe në staf, besoj i vjen për shtat Tiranës së rritur në banorë dhe territor. Ne vërtet kemi rritur qytetin, por ndonjëherë harrojmë të rrisim edhe shërbimet. Histori si pandemia apo tërmeti na kujtuan nevojën që kemi për shërbime të tilla”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku falenderoi zjarrfikësit për punën e palodhur në ditë të këqija, si ato të tërmetit e pandemisë, apo edhe në ditë të mira, ku ndihmojnë qytetarët për problemet e vogla të përditshmërisë. Ai theksoi se tashmë ka nisur trajnimi i 50 punonjësve, të cilët do t’i bashkohen Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës, ndërsa shtoi se do të rifillojnë trajnimet për fëmijët në shkolla dhe kopshte.
“Është shumë e rëndësishme të rifillojmë trajnimet edhe në shkolla, edhe në kopshte, siç kemi bërë çdo vit. Kultura e kërkim-shpëtimit, e dhënies së ndihmës së parë, e evakuimit të një ndërtese ku mund të ketë rënë zjarr ose është dëmtuar nga tërmeti, është shumë e rëndësishme për të gjithë. Këtë kulturë nuk mund ta ketë vetëm punonjësi i zjarrëfikëses, por teksa mbërrin zjarrfikësja, edhe mësuesja, edhe edukatorja, edhe fëmija, duhet të jenë të përgatitur si duhet të veprojnë në situata të tilla”, shtoi Veliaj.
Në fund, ai tha se është e rëndësishme që vendimet t’i marrin profesionistët e fushës. “Është jetike të mbështetemi te profesionistët. T’i besojmë shkencës, mjekut, zjarrëfikësit dhe profesionistëve. Kur dikush thotë se po ndez një zjarr për të djegur ca mbeturina apo po ndërhyj në pallat për të shtuar pak hapësirë, mund të na shkaktojë një dëm të madh tërmetin apo zjarrin e rradhës. Ndaj, duhet besojmë te profesionistët, tek ata që drejtojnë dhe menaxhojnë krizat”, përfundoi kryebashkiaku.