Ish Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, ka përcjellë një mesazh ngushëllimi mbi vdekjen e ish ministrit të Drejtësisë dhe ish-kreut të Gjykatës së Lartë Thimjo Kondi, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme pas një sëmundje të rëndë.
Përmes një mesazhi në rrjetin social Twitter, deputeti socialist kujton bashkëpunimin ndër vite me Kondin për forcimin e shtetit të së drejtës.
Ndër të tjera ai shkruan:
“Një lajm i hidhur ndarja nga jeta e z.Thimjo Kondi, ish ministër i Drejtësisë, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ish-Kryetar i Gjykatës së Lartë, lektor e avokat i shquar. Kujtoj me respekt bashkëpunimin tonë për mjaft vite në fuqizimin e institucioneve të drejtësisë pas ’97“, shkruan Xhafaj duke shtuar se:
“Ai ishte dhe mbeti një autoritet me ndikim në dhënien e drejtësisë, luftëtar i papajtueshëm me antivlerat e sistemit, mbështetës i fortë i profesionalizmit në gjyqësor si dhe kontributor i paepur i pavarësisë të institucioneve të së drejtës. Familja humbi njeriun e dashur, drejtësia juristin e shquar, ndërsa vendi drejtuesin dhe kontribuesin aktiv për forcimin e shtetit të së drejtës. U prehtë në paqe!“, nënvizon Xhafaj.
/e.rr