Nga Artur Ajazi
Kryetari i demokratëve Lulzim Basha, ka nxituar edhe kësaj here të japë “ofertën” e tij imagjinare për mjekët dhe infermierët, lidhur me pagat , sapo kryeministri Rama ka njoftuar rritjen reale të tyre. Në fakt, u ndje si një karshillëk që Lulzim Basha po i bënte vendimit të qeverisë, e cila vazhdimisht ka treguar se është e gatshme për rritjen dhe mbështetjen financiare ndaj heronjve të pandemisë. I vetmi që nxiton vazhdimisht të “konkurojë” qeverisjen dhe kryeministrin Rama, mbetet kryetari i ish-opozitës. Ai ka kohë që ka nisur të ndjehet “i madh, lider” madje së fundi edhe “kryeministër”.
Eshtë bukur kur ndjehesh, dhe fatalitet kur nuk e arrin diçka. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh shpesh me zotin Basha. Por në fakt karshillëkun, ai duhej ta kishte fillimisht brënda Partisë Demokratike, të ndjehej kryetari i saj, të ndjehej rival serioz i Doktorit, të ndjehej se ishte në gjendje të ribashkonte dhe ringrinte partinë, të ndjehej se ishte në gjendje të zhvillonte zgjedhje të ndershme dhe të fitonte me vota të lira postin e kryetarit, të ndjehej se ishte i aftë të përballej me dinjitet me kundërshtarët e tij brënda partisë, të ndjehej se ishte i duhuri për të hartuar një program të besueshëm për shqiptarët. Nuk mund të jesh i besueshëm kur kopjon, apo dhe kur i bën karshillëk me pa shifra apo me dëngla, një kryeministri që gjithmonë të ka mundur, të ka sfiduar, dhe ka ditur të përballet me dinjitet me krizat, me të cilat ti ke luajtur, dhe je munduar të pengosh zgjidhjen e tyre. Karshillëkun, duhet t’ja bësh pasi ti të kesh bindur, ata që ke përzënë nga Partia Demokratike, atyre që u ke mbyllur gojën dhe derën, dhe që sot mundohesh nga e keqja, ti “ftosh” dhe afrosh në SHQUP.
Nuk mund të premtosh, kur nuk ke bërë asgjë, kur nuk ke arritur të fitosh, dhe kur nuk ke arritur të bindësh as partinë tënde, se je kryetari që mund të fitosh betejat elektorale. Mjafton të dëgjosh zërat ndryshe në PD, për tu bindur se karshillëkun Lulzim, nuk e ke me askënd tjetër, veç Doktorit. Ti akoma nuk ke mundur të ndjesh si ai, të “fitosh” si ai, nuk ke mundur të bëhesh aq “karizmatik” sa ai në PD, dhe nuk do të mund të ndjehesh kurrë kryetar partie si ai. Këto janë problemet që duhet të zgjidhësh më parë zoti Basha, dhe jo “pushteti”, apo programi që ke hartuar për “100 ditët e para si kryeministër”.
Në rast se, do të vendosësh të merresh dhe barazohesh me ato çfarë ka bërë Edi Rama kryeministër, ndoshta do të të duhen 1000 netë dimri, të mendohesh mirë për tu përballur në betejën e ardhshme elektorale. Kjo për faktin sepse ju dhe Partia Demokratike, nuk keni kuptuar asgjë nga qeverisja, edhe pse keni qenë në pushtet, nuk keni kuptuar asgjë nga përgjegjësitë kur qeveris, pasi ju gjithmonë jeni treguar të pangopur dhe të papërgjegjshëm. Sfido Doktorin Lulzim, pastaj nis dhe bëj karshillëk Edi Ramës. Je shumë larg tij, jo vetëm si kryetar partie dhe kryeministër, por edhe si fjalëmbajtur. Do të bindesh, kur tu votojnë shqiptarët.