Deputetët e Partisë Socialiste kanë zbuluar dje arsyet e vërteta që kanë ndikuar në sjelljen e presidentit Ilir Meta. Ky i fundit prej disa kohësh ka rritur dozën e akuzave dhe sulmeve në adresë të qeverisë, ndërsa ka bërë thirrje për përmbysjen e saj. Por gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, deputeti i PS, Bujar Çela teksa shpërtheu në kritika të forta në adresë të presidentit Meta, shprehu bindjen se kërcënon me revolta nga frika e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Sipas tij, ka ardhur koha që kreu i shtetit të japë llogari para drejtësisë së re për të gjitha zullumet që ka bërë. “Thirrjet e pseudopresidentit Ilir Meta për revolucion janë thirrje hienash që e ndien që po i ngushtohet laku nga reforma në drejtësi. E kam thënë dhe e ripërsëris që Meta është në garë të hapur për të siguruar një vend nderi në opozitën e ardhshme, se tani për tani e ka siguruar kohën e mbetur në Presidencë dhe kjo në varësi të punës që do të bëjnë dy strukturat e piramidës në drejtësi (SPAK dhe BKH). Nuk mund të kërkojmë sjellje normale nga ky njeri, president, udhëheqës real i kësaj opozite rrugë humbur”, deklaroi ai.
Meta po bëhet si Saliu, e ka humbur rrugën e arsyes
Duke vijuar më tej në reagimin e tij, deputeti socialist, Bujar Çela hoqi një paralele mes presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa shprehu bindjen se kreu i shtetit po bëhet si ish-lideri demokrat. Sipas tij, presidenti Meta e ka humbur arsyen. “Të gjitha thirrjet e tija janë të përsëritura dhe të prodhuara nga lideri i tij shpirtëror shoku Sali Berisha, të cilat dhe këtë radhë në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë si dhe herët e tjera si dekreti i famshëm që do firmosej në mes të sheshit do t’i sigurojnë dështimin e radhës me shumë sukses. Ai është bërë për të ardhur keq e ka humbur rrugën njëherë e përgjithmonë. Në këtë rrugë, garë ka vetëm me të çmendurin që ka vite që fiton po idhullin e tij Sali Ramë Berishën”, nënvizoi deputeti Çela për gazetën “SOT”.
Meta në shërbim të opozitës
Në të njëjtën linjë me kolegun e tij socialist, dje është rreshtuar edhe deputeti tjetër i Partisë Socialiste, Andrea Marto. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, deklaroi ditën e djeshme se ndihet i keqardhur që presidenti Meta ka zhveshur kostumin e kreut të shtetit dhe është vënë në shërbim të opozitës së drejtuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Sipas tij, kthimi i Presidencës në seli të opozitës është e shëmtuar. “E pakonceptueshme që Presidenti i një Republike Parlamentare të mbajë qëndrime të tilla. Për të gjithë është e qartë se presidenti dhe Presidenca po luajnë rolin e një opozite destruktive”, deklaroi deputeti socialist, Andrea Marto. Ndërsa deputetja e Partisë Socialiste, Artemis Malo gjatë reagimit për gazetën theksoi dje gjithashtu se presidenti Ilir Meta është i frikësuar nga reforma në drejtësi, andaj dhe sipas saj, ai kërkon revolta dhe protesta kundër qeverisë. “Presidenti Ilir Meta është i dëshpëruar dhe i frikësuar e lemerisur nga reforma në drejtësi. Po ashtu Meta bën thirrje për revolucion, pasi e di që partia e tij dhe PD do të marrin goditjen e radhës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pra, nuk duhet të zgjatem, por këto thirrje janë furtunë në gotë uji”, deklaroi deputetja e PS, Artemis Malo.
g.kosovari