Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Dekriminalizimin miratoi në parim ndryshimet kushtetuese për implementimin e këtij ligji.
Gjatë mbledhjes së zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit Komisioni miratoi me konsensus 17 amendamente të Kushtetutës, 4 prej të cilave ishin propozuar nga opozita.
Pas miratimit në parim, diskutimi nen për nen do të kryhet pa praninë e mediave.
Ligji për dekriminalizimin do të përcaktojë në mënyrë të qartë personat që përjashtohen nga e drejta për t’u emëruar dhe zgjedhur në poste publike.
“Kemi miratuar disa gjëra mbi personat që kanë një vepër penale në CV-në e tyre dhe që nuk duhet të qëndrojnë në poste publike. Miratuam këtë paketë dhe diskutuam për nenet përkatëse, por duke qenë e nevojshme të vazhdohet diskutimi në aspektin teknik, me kontributin edhe të ndërkombëtarëve, komisioni vendosi ta shtyjë në një mbledhje të dytë përmbylljen e kësaj pakete. Më pas, do ta çojmë atë për miratim seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë”, tha Oerd Bylykbashi, kryetar i Komisionit për Dekriminalizimin.
Ndërkohë nënkryetari i Komisionit Taulant Balla, deklaroi se shumë shpejt do të mbyllen të gjitha diskutimet teknike për të përmbyllur ndryshimet kushtetuese në seancë plenare.
“E njëjta frymë e ditës së premte gjatë diskutimeve për projektligjin, mbizotëroi edhe këtë të hënë në komisionin e posaçëm për draftin e ndryshimeve të nevojshme kushtetuese. Ramë dakord që ky proces të vazhdojë, sepse Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit kanë rregulla strikte, që duhen respektuar një më një nga të gjithë anëtarët e këtij komisioni. Ligji duhet të miratohet, por ai ka bërë të domosdoshëm ndërhyrjen në Kushtetutë, për të hapur çelësat që ndryshojnë legjislacionin shqiptar për ata që përfaqësojnë interesin publik. Kushtetuta nuk ndryshohet brenda një nate, sigurisht ka optimizëm që procesi të bëhet sa më shpejt e të mos marrë shumë kohë”, tha Taulant Balla.