Bayerni i Mynihut është “mbreti” i ri i Europës në futboll, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin minimal 1-0 përballë francezëve të Paris Saint Germain, në finale e Ligës së Kampionëve, falë një goli të francezit Kingsley Coman shënuar në pjesën e dytë.
Në një sezon të tejzgjatur dhe me një format të pazakontë, finalja e Ligës së Kampionëve u zhvillua në stadiumin “Da Luz” të Lisbonës në Portugali, pa praninë e tifozëve, por kjo nuk ndikoi aspak në spektaklin e dhuruar në fushë nga të dy skuadrat.
Bavarezët ishin favoritët për të fituar që para ndeshjes, për faktin e thjeshtë se po kalonin një formë mjaft të mirë, të cilën e dëshmuan edhe mbrëmjen e sotme, kur morën kontrollin e lojës që në fillim, duke dominuar me mbajtjen e topit.
Nga ana tjetër Paris Saint Germain arrinte për herë të parë në historinë e saj në një finale të Ligës së Kampionëve dhe gjithë shpresat i kishte varur te dy yjet e skuadrës, Mbappe dhe Neymar, të cilët mbrëmjen e sotme nuk arritën të tregohen vendimtarë.
Fati i takimit u vendos në minutën e 59’, kur pas një aksioni të gjatë, Kimmich hodhi një krosim të saktë në zonë, aty ku francezi Kingsley Coman nuk mund të gabonte me kokë, i ndodhur vetëm pak metra larg portës së mbrojtur nga Keilor Navas dhe dërgoi topin në rrjetë.
Francezët u përpoqën të reagojnë dhe iu afruan golit në 2-3 momente, por veteran i portës së Bayernit, Manuel Neuer u shfaq në lartësinë e detyrës, duke kontrolluar të gjithë goditjet drejt portës së tij dhe mbajtur rrjetën të paprekur.
Pesë minutat shtesë të akorduara nga arbitri Italian Orsato, nuk sollën asgjë për t’u shënuar dhe fundi i lojës pa bavarezët të shpallen Kampionë Europe për klube, trofe të cilin e fitojnë për herë të 6 në historinë e tyre.
Bayerni bëhet kështu klubi i tretë me më shumë trofe të Ligës së Kampionëve, plot 6 të tillë, aq sa ka edhe Liverpool, ndërsa renditja kryesohet nga Reali i Madridit me 13 trofe, i ndjekur nga Milani me 7.
Nga ana tjetër Paris Saint Germain do të duhet të kënaqet me faktin që për herë të parë në histori ia doli të kualifikohet deri në finale e Ligës së Kampionëve dhe të provojë sërish triumfin në sezonin e ardhshëm.