Të dielën Tirana do t’u nënshtrohet analizave të radhës për ndeshjet e Europës. Skuadra do të bëjë sërish tamponët dhe kjo është konfirmuar nga bardheblutë, që vetëm të hënën që shkoi e kaluan këtë proces për të qenë të pastër para sfidës me Dinamon e Tbilisit.
Mësohet se tamponët do të zhvillohen ditën e diel në orën 15:00. Për Tiranën kjo është hera e tretë që bën tamponët, pas atyre në kampionat dhe për Tbilisin. Kujtojmë se tamponët duhet të jenë të vlefshëm 72 orët e fundit, sepse në të kundërt nuk mund të luhet futboll. Ndeshja pritet të luhet nën masa të rrepta sigurie, duke llogaritur ndeshjet e kaluara mes Serbisë dhe Shqipërisë apo skuadrave nga të dyja vendet.
Në fakt, proceduara e tamponëve është goxha e bezdisshme për të gjithë. Do t’i nënshtrohen tamponit si lojtarët dhe stafi i Tiranës që do të jetë në zonën e kuqe. Skuadra serbe nuk do t’u nënshtrohet tamponëve në Shqipëri, sepse ata do t’i bëjnë në shtëpinë e tyre. Skuadra mike do të vijë rreth 36 orë përpara ndeshjes dhe kjo do të thotë se nuk do të ketë masa shëndetësore.
HOXHALLARI – Problemi i vetëm i Tiranës, për sa i përket shëndetit, është Erjon Hoxhallari. Lojtari ka një problem në kofshë dhe sot do të zhvillojë një rezonancë magnetike. Ai ka pasur një hematomë në kofshë para Tbilisit, që tani nuk ekziston. Në ditët në vazhdim do të shihet gjendja e lojtarit dhe më pas do të vendoset nëse Hoxhallari do të jetë në fushën e lojës apo jo. Kujtojmë që Hoxhallari humbi ndeshjen me Tbilisin për arsye dëmtimi.
PANORAMASPORT.AL