Në komisionin parlamentar të Ekonomisë, Buxheti i vitit të ardhshëm ka përplasur Ministrin e Financave Shkëlqim Cani me ish kreun e financave, deputetin Ridvan Bode, në lidhje me implikimet në ekonomi. Ministri Cani shprehet se buxheti i vitit të ardhshëm do të rrisë mirëqënien e familjeve shqiptare, por Ridvan Bode e ka cilësuar si buxhetin që braktis ekonominë dhe qytetarët.
“Ky është një buxhet me sens të theksuar zhvillimi dhe mirëqënieje për qytetarët. Rritja reale ekonomike për vitin 2016 është 3.4 për qind, i treti vit radhazi me rritje reale ekonomike”, deklaroi Cani.
“Inflacioni do jetë 2.5 për qind, zero rritje pagash. U bë viti i tretë që për të gjitha kategoritë e administratës publike rritja është zero. Ndërsa pensionet rriten me 1.1 miliard, aq është kontigjenca, që do të thotë me 0.8 për qind”, replikoi ish-ministr Ridvan Bode.
Sipas opozitës, vitin e ardhshëm mbledhja e taksave nga ana e shtetit do të përkeqësohet.
“Nëse rritja reale dhe deflatori i programuar nga qeveria shkojnë në 6 për qind, rritja që programon qeveria në krahasim me buxhetin e rishikuar të vitit 2015 është vetëm 4.9 për qind”, nënvizoi Bode.
“Të ardhurat mendohet të arrijnë në 400 e 17.7 miliardë lekë, ose 30.7 mld lekë më shumë nga pritshmëritë e vitit 2015”, u përgjigj nga ana e tij Cani.
Debatet u fokusuan gjithashtu edhe tek investimet punlike që parashikon buxheti i vitit 2016, ku sipas Ridvan Bodes shpenzimet për këtë zë do të ulen me 60 milionë dollarë. Ministri Financave Cani tha se shpenzimet do të përbëjnë 6 % të prodhimit të brendshëm bruto.
Buxheti i 2016 ka nivelin më të ulët të defiçitit buxhetor, prej 2.2 për qind e Prodhimit Kombëtar, çka bën të mundur që për herë të parë pas shumë vitesh rritje Shqipëria të ulë borxhin publik nga 72.6 për qind në 70.9 për qind të prodhimit kombëtar.