Mbulohet me mister gjendja shëndetsore e një prej figurave kryesore të opozitës anti-Putin në Rusi, Alexei Navalny.
Nëndrejtori i spitalit të Omskut ku Navalny ndodhet i shtruar në gjendje kome, hodhi poshtë dyshimet e hedhura në media se ai është helmuar. Anatoli Kaliniçenko tha se në gjakun e Navalny nuk është gjetur asnjë gjurmë helmi apo substance tjetër të rrezikshme. Kaliniçeko u shpreh se mjekët e kanë tashmë një diagnozë për të, por siç u shpreh ai, është ende herët për ta bërë publike.
Ndërsa mjekja personale e tij Anastasija Vasiljeva shprehu bindjen se Alexei Navalny është helmuar me një helm ende të panjohur. Mungesa e transparencës nga autoritetet shëndetësore, sipas saj, është një tjetër fakt që ushqen këto dyshime.
Kancelarja gjermane Angela Merkel në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin francez Emanuel Macron ofroi ndihmën e saj për ta çuar Navalnyn për kurim në një spital të specializuar në Berlin. Merkel urdhëroi dërgimin e një avioni të posaçëm për transportin e tij. Por autoritetet ruse refuzuan me argumentimin se gjendja e tij shëndetësore është aq e rëndë sa e bën të rrezikshëm zhvendosjen drejt Gjermanisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov tha se mjekët janë duke bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për shërimin e Navalny.
Prej mëngjesit të së enjtes, Navalny ndodhet në gjendje kome në spitalin e Omskut, pasi u ndje keq në avionin ku po udhëtonte drejt Moskës nga Tomsku, një situatë prej të cilës u bë ulja e detyruar në Omsk.
/a.r