Gjykata e Lartë ndryshoi masën e sigurisë për deputetin Armando Prenga nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Pasi shqyrtoi provat e paraqitura nga avokatët mbrojtës, trupa e Gjykatës së lartë vendosi ndryshimin e masës së sigurisë.
Në seancën e sotme pati debat të ashpër mes palëve për mënyrën se si ishte ndërtuar ngjarja nga prokuroria. Avokatët mbrojtës hodhën poshtë këto prova duke ngulmuar se klienti i tyre nuk ka konsumuar asnjë vepër penale.
Zyrtarisht Prenga akuzohet për “armëmbajtje pa leje”, “plagosje me dashje”, dhe “kanosje”.
Referuar dosjes hetimore, sipas prokurorisë Prenga ka qëlluar ndaj pjesëtravë të familjes Cali me një pistoletë që e mbante pa leje.
Prenga u arrestua pas konfliktit të ndodhur pranë komisariatit të Laçit, ku u plagosën disa pjesëtarë të familjes Cali dhe asaj Prenga. Ata u konfliktuan pasi familja e Prengës fitoi të drejtën për shfrytëzimin e Lagunës së Patokut, e cila prej vitesh shfrytëzohej nga fisi Cali.