Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar para shtypit se partia e tij i ka shpallur luftë korrupsionit në çdo nivel, edhe pse ka pranuar që askush nuk ka imunitet ndaj këtyre dukurive.
“LSI nuk ka pretenduar apo pretendon se është e imunizuar nga fenomenet e taktikat korruptive apo jo transparente”, tha Meta, duke shtuar megjithatë se ka shpesh zëra keqdashës për forcën që ai drejton.
“Përjigjja jonë ndaj atyre që janë të shqetësuar për rritjen e LSI-së është transparencë maksimale dhe në çdo gjë, është goditje pa mëshirë ndaj korrupsionit, ndaj cilitdo, në radhë të parë kur të shfaqen te përfaqësues të LSI-së”.
Meta shtoi se mund të ketë persona të papërgjegjshëm që abuzojnë në emër të LSI-së, por nuk është kurrë partia ajo që e bën një gjë të tillë.
“Unë jam krenar që nuk ka dalë asnjë deputet, kandidat për deputet, tani apo më parë, kryetar bashkie apo kandidat, e të ketë thënë se i ka paguar lekë partisë për të qenë i pari apo i dyti në listën e zgjedhjeve. Ashtu sikurse jemi të ndërgjegjshëm kur thuhet se partia kërkon lekë që nuk janë veçse përralla dhe abuzime nga njerëz të caktuar që kërkojnë lekë për veten e tyre. Nuk ka nevojë LSI të kërkojë lekë dhe do të merren masa ndaj çdo individi. Kush dëshiron të jetë qeveritar, zyrtar, duhet të kuptojë që merr përsipër një shërbim publik, jo ta kthejë shërbimin e tij në një qendër të gjobëvënies dhe veprimeve të shëmtuara”.
“Ky është një mesazh shumë i qartë për inspektoren e arsimit në Lushnjë, për cilindo që abuzon dhe do guxojë të abuzojë me pozicionin zyrtar, që nga funksionet më të larta, ministra qofshin e deri te një punonjës fare i thjeshtë, që mund të jetë anëtar i LSI-së. Nuk të detyron askush të bëhesh ministër, drejtor, deputet me pahir”.
JavaNews.al