Në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), që nga fillimi i pandemisë COVID-19, 20 gra shtatzëna kanë rezultuar pozitive.
Ushtruesi i detyrës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi, ka treguar se janë dy foshnja që kanë lindur e që janë diagnostikuar me COVID-19.
Krasniqi në televizionin Dukagjin u shpreh se qëkur është shfaqur virusi COVID, Klinika e Gjinekologjisë ka qenë e kyçur në trajtimin e rasteve me COVID-19.
“Habitem se si njerëzit të cilët punojnë në QUKUK kanë harruar faktin se në gjinekologji që nga fillimi i pandemisë janë trajtuar femrat shtatzëne që kanë qenë pozitive. Kanë lindur 20 gra shtatzënë me COVID aktiv në momentin e lindjes. Klinika e Gjinekologjisë që nga fillimi ka qenë e kyçur në trajtimin e rasteve me COVID pozitiv dhe kemi pas 2 foshnje që kanë lindur ose janë diagnostikuar menjëherë pas lindjes si COVID 19. Dhe një numër tjetër i foshnjeve që kanë qenë si të dyshuar”, tha Krasniqi në emisionin ‘Zgjohu’ të Dukagjinit.
Ndërsa, i pyetur rreth akuzave të Basri Sejdiut, ish-drejtorit të ShSKUK-së, që u shkarkua nga Bordi Drejtues i ShSKUK-së, se në kohën e Krasniqit situata e pandemisë është e pamenaxhueshme, ai tha se kjo është çështje e bordit.
“Kjo ka të bëjë me bordin drejtues të ShSKUK-s dhe është çështje që trajtohet nga ana e bordit dhe unë nuk dua ta komentoj këtë gjë. Sa i përket menaxhimit me pandeminë ne mund të diskutojmë dhe është krejtësisht normale që njerëzit të kenë opinione të ndryshe. Por kemi të bëjmë me një situatë epidemiologjike krejtësisht ndryshe nga ajo që ka dominuar”, tha ai.
Po ashtu ai ka vazhduar me atë se gjatë kësaj kohe të gjithë pacientët të infektuar apo të dyshuar me COVID-19, kanë marrë shërbime mjekësore dhe se asnjë pacientë nuk ka vuajtur për mungesë të respiratorëve apo mungesë të oksigjenit.
“Duhet t’i rikujtojmë të gjithë se asnjë pacientë i prekur nga COVID pa i dyshuar nuk ka mbetur pa marrë shërbimet mjekësore të ofruar nga institucionet tona, asnjë s’ka mbet pa u shtrirë në klinikat tona, asnjë pacientë nuk ka vuajtur në mungesë të respiratorëve, asnjë pacientë nuk ka vuajtur në mungesë të oksigjenit dhe të gjithë pacientët kanë marrë shërbimet e nevojshme”, është shprehur Krasniqi.
/e.rr