Drejtimi i një shteti është punë e vështirë dhe me shumë probleme. Dhe këtë duket se e ka kuptuar më së miri diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong-un.
Lideri korean i ka deleguar më shumë përgjegjësi ndihmësve të tij duke përfshirë këtu edhe të motrën Kim Yo-jong. Të paktën kështu pretendojnë agjencitë e spiunazhit në Korenë e Jugut.
Ata theksojnë se Kim vijon të ketë pushtet absolut, megjithatë ka deleguar disa përgjegjësi politike tek të tjerët për të ulur nivelin e stresit.
Motra e tij, Kim Yo-jong do të jetë ajo që do të drejtojë çështjet e përgjithshme të shtetit. Megjithatë BBC, shkruan se Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare të Koresë së Jugut nuk është burimi më i sigurt pasi herë të tjera ka dëshmuar që e ka pasur gabim.
Motra e diktatorit do të drejtojë politikën e vendit me jashtë dhe disa çështje të ndryshme duke e bërë de-fakto lideren numër dy në vend. Megjithatë raporti i shërbimit të inteligjencës sqaron se Kim nuk ka zgjedhur ende një pasardhës.
Në fakt për diktatorin e Koresë së Veriut u fol disa muaj më parë se kishte ndërruar jetë. Megjithatë këto lajme u shuan nga ai vetë, kur doli në një takim me disa punëtorë në një fabrikë plehu.
/a.r