Gjovalin Loka, drejtori i Sigurisë në Policinë e Shtetit, ka dalë ditën e sotme para Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, teksa po i nënshtrohet procesit të vetingut.
Nga ajo që u raportua në KJV, rezulton se Loka dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit.
Kjo pasi nga verifikimet e kryera nga komisioni, rezulton se nga janari i vitit 1991 deri në qershor të po të njëjtit vit, Loka ka qenë operativ i sigurimit të shtetit, teksa deri në vitin 1990 ka qenë student në shkollën e sigurimit të shtetit.
Duke folur në seancë, Loka ka kërkuar që të mos diskriminohet dhe paragjykohet për shkak të studimeve, duke thënë se nuk ka pasur kontakte me asnjë bashkëpunëtor të sigurimit të asaj kohe.
“Nuk kam dënuar apo keqtrajtuar apo rekrutuar askënd në sigurimin e shtetit”, është shprehur Loka.
Ndër të tjera nga testi psikologjik, Loka ka rezultuar i aftë për ushtrimin e detyrës si dhe është treguar bashkëpunues gjatë procesit të vetingut.
Mbetet për tu parë nëse komisioni do e shkarkojë apo konfirmojë në detyrë Lokën, i cili me vendim të kryepolicit Ardi Veliu, qysh prej vitit 2018, është në krye të të Sigurisë në Policinë e Shtetit, pasi më parë ka drejtuar policinë e Lezhës, Shkodrës dhe Vlorës.