Ministria e Jashtme ka sqaruar vendimin e Greqisë për të njohur pasaportat e skaduara shqiptare deri në datën 31 dhjetor të 2020.
Sipas MEPJ, pasaportat do të pranohen si dokumente të vlefshme dhe kjo u krijon emigrantëve shqiptarë lehtësi.
Më tej thuhet se emigrantëve shqiptarë nuk do u kërkohet leje kalimi në rast udhëtimi nga Greqia për në Shqipëri. Javën e kaluar u krijua një krizë humanitare në kufirin greko- shqiptar teksa u evidentua që shumë emigrantë kishin ardhur në atdhe pasi u kishte skaduar pasaporta dhe duhet të nxirrnin të reja.
Tashmë deri më 31 dhjetor emigrantët, edhe ata me pasaporta të reja mund t’i kryejnë procedurat e rinovimit të lejes së qëndrimit apo të tjera me pasaportat e skaduara deri më 31 dhjetor.
NJOFTIMI NGA MEPJ
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se nga Zyrat e të Huajve të shtetit helen, deri në datën 31 dhjetor 2020, do të pranohen si dokumente të vlefshme të gjitha pasaportat shqiptare, të cilat kalojnë afatin e vlefshmërisë brenda vitit 2020.
Ky vendim i qeverisë greke krijon lehtësi për emigrantët shqiptarë, të cilët do të mund të marrin shërbimet e nevojshme në shtetin grek, duke përfshirë rinovimin e lejeve të qëndrimit, shërbimet e mbrojtjes sociale, shëndetësore e arsimore. Gjithashtu, emigrantëve shqiptarë nuk do t’ju kërkohet leje kalimi në rast të udhëtimit të tyre nga Greqia për në Shqipëri.