Në vijim të kontrolleve për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit, është gjobitur një lokal në Durrës dhe është mbyllur një tjetër në Krujë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, kanë konstatuar një lokal, në administrim të shtetasit S. T., cili është konstatuar duke ushtruar aktivitetin e tij në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë.
Për këtë subjekt, shërbimet e policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu shërbimet e policisë Krujë në bashkëpunim me Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor, kanë vendosur mbylljen e aktivitetit në subjektin në pronësi të shtetasit Xh. B., i cili pasi është ndëshkuar me masë administrative nga shërbimet e Policisë, ka organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ, në mënyrë të përsëritur.
Policia paralajmëron se do tëvijojë kontrollet në të gjithë territorin e Qarkut Durrës dhe apelon për të gjithë pronarët/administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
/A.R