“Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ringrihemi. Mblidheni gjakun tim që ta përdorin fëmijët për të shkruar shqip!”
Kështu thotë Presidenti Ilir Meta në 109-vjetorin e vrasjes së Petro Nini Luarasit.
Kreu i shtetit thotë se këto amanete legjendare të martirit të gjuhës dhe shkollës shqipe, Petro Nini Luarasi do të mbeten përjetë të gdhendura në memorien historike të kombit tonë, që e ka paguar aq shtrenjtë lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, por edhe të Kosovës, duke sakrifikuar bijtë e bijat e saj më të mirë.
“Sot, në 109-vjetorin e vrasjes të patriotit të shquar të Kolonjës dhe luftëtarit të paepur për zgjimin, emancipimin dhe prosperitetit e kombit shqiptar, është dita për të përkujtuar me nderim e respekt veprën e tij dhe gjithë ato sakrifica të jashtëzakonshme në shërbim të arsimit shqip, për të cilin dha edhe jetën!”, shkruan Meta.
Ai thotë se rilindasi i vërtetë Petro Nini Luarasi, së bashku me atdhetarë të tjerë, kontribuan për ndriçimin dhe edukimin e popullit shqiptar, jo vetëm me dijen, por mbi të gjitha me patriotizmin, dashurinë dhe sakrificat për atdheun, duke u shndërruar në një shembull të fortë frymëzimi dhe motivimi për të gjithë mësuesit e të rinjtë tanë ndër breza dhe duke na mësuar se: “Shqipëria është e para!”.
/a.r