Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri është thirrur të hënën në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, pranë kryesisë së Kuvendit, për të sqaruar masat e marra nga Policia e Shtetit në kuadër të rrezikut të akteve terroriste në vendin tonë.
Kreu i Komisionit të Sigurisë tha se mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak se tema prek çështje që lidhen me sigurinë dhe kjo në respekt të një kërkese të bërë nga Ministria e Brendshme. “Gjatë punimeve të Komisionit u diskutuan ato pika, që Ministri diskutoi dhe me Presidentin gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë. Kjo do të thotë se temat janë të një rëndësie të veçantë, prandaj dhe Komisioni u zhvillua me dyer të mbyllura për mediat”, tha Braho.
Në fund të punimeve, Ministri Tahiri u shpreh se “Shqipëria nuk është vend imun ndaj sulmeve terroriste, por nuk ka nevojë për panik”. “Nuk ka nevojë për t’u shqetësuar. Shqipëria nuk është imun, por ne kemi marrë masat e nevojshme. Kemi rritur prezencën e Policisë. Të dhënat nuk flasin për panik”, vijoi Tahiri.
Ai tha se bashkëpunimi me partnerët është i nivelit të lartë. “Kemi marrë masa parandaluese dhe kjo në bashkëpunim edhe me partnerët tanë. Jemi duke u përpjekur për të gjetur balancat e duhura. Me urdhërin e Këshillit të Ministrave dhe MB janë shtuar kontrollet dhe monitorimet në të gjitha institucionet. Kemi të njëjtat masa si vendet e Aleancës së NATO-s”, tha Ministri i Brendshëm.
ATSH