“Është një mbrëmje për t’u harruar dhe humbja ishte e turpshme. Nuk ishim skuadra që jemi, por as klubi që përfaqësojmë. Jam shumë i zhgënjyer nga kjo paraqitje. Rezultati është i turpshëm. Dua të uroj Bajernin për ndeshjen që bëri, ndërsa ne nuk ishim në lartësinë e duhur.
Pike ka të drejtë që reagon në këtë mënyrë. Është koha për të marrë vendime dhe disa prej tyre i kemi menduar që tani. Disa vendime i kemi marrë përpara se të luanim në Champions. Tani është një ditë për të reflektuar. Duke nisur nga java e ardhshme do t’i bëjmë publike vendimet që kemi marrë. Më vjen keq për tifozët e Barcelonës për këtë humbje të tillë. Nuk meritonim që ta mbyllnim sezonin në këtë mënyrë”, tha presidenti i katalanasve.
Ai është një nga emrat më të kritikuar të kohëve të fundit, por duket se nuk ka ndërmend që të japë dorëheqjen.
NDRYSHIMET– I pari që do të largohet është trajneri Kike Setien, ndërsa të njëjtin fat do të ketë edhe drejtori sportiv i skuadrës, Erik Abidal. Edhe të tjerët si Ramon Planes dhe administratori Oskar Grau do të ndërpresin raportin e tyre me skuadrën katalanase. Në të ardhmen do të mësohen emrat që do të marrin drejtimin e Barcelonës. Bartomeu do të bëjë revolucion total në skuadër.