Ishte cilësuar nga të gjithë si një finale e parakohshme, por përballja mes Barcelonës dhe Bayernit të Mynihut rezultoi e tillë vetëm në letër, pasi bavarezët dominuan totalisht në fushën e lojës dhe triumfuan me rezultatin final 2-7, duke i bërë katalanët të duken të vegjël.
Që do të ishte një mbrëmje e komplikuar për Messin me shokë u pa që në fillim, pasi kur kishin kaluar vetëm 4 minuta lojë, Thomas Muller kombinoi bukur me Robert Lewandowskin dhe arriti të mposhtë portierin ter Stegen, me një goditje të saktë në cepin e portës.
Vetëm tre minuta më vonë në fushë u rikthye baraspesha, pasi mbrojtësi austrial David Alaba devijoi në mënyrë të pafat një top në trekëndëshin e portës së Reinës, por vetëm kaq, sepse bavarezët morën sërish kontrollin e lojës.
Me presionin asfiksues deri në kufijtë e zonës kundërshtare, bavarezët ia dolët të rikuperojnë disa topa interesantë, ndërsa deri nē fund të pjesës së parë shënuan edhe tre herë të tjera me anë të Perisic, Gnabry e Muller, duke shkuar në pushim me avantazhin 1-4.
Katalanët dhanë sinjale jete në fillim të pjesës së dytë, pasi shënuan golin e dytë me anë të Luis Suarez nëpërmjet një aksioni personal, por vetëm kaq, sepse deri në fund loja foli sërish për bavarezët.
Joshua Kimmich dhe Robert Lewandowski vulosën fatin e takimit, ndërsa për ta bërë edhe më tragjike mbrëmjen për katalanët mendoi futbollisti në pronësi të Barcelonës, Philippe Coutinho, i cili erdhi nga stoli dhe shënoi dy herë, duke fiksuar rezultatin final 8-2 për bavarezët.
Largohen kokë-ulur dhe të turpëruar Messi me shokë nga Lisbona, ndërsa Bayerni i Mynihut siguron kalimin në gjysmëfinale dhe hedh kandidaturën për të ngritur lart trofeun me “veshë të mëdhenj”. (SuperSport)