Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka konfirmuar disa prej emrave të kandidatëve të Partisë Demokratike në disa qarqe të vendit.
Ndoka deklaron se në Shkodër do të kandidojë Romeo Gurakuqi, në Lezhë Aldo Bumçi, në Elbasan Edmond Spaho, në Gjirokastër Tritan Shehu, në Korçë Valentina Duka dhe në Vlorë Agron Shehaj.
Kreu i PDK-së krahason kandidatët e PD-së me ata të mazhorancës dhe thotë se e djathta është humane , ndërsa e majta është e përgjegjshme dhe mjerane.
“E djathta humane, e majta mjerane! E djathta kryeson listat me profesorë dhe politikanë karriere, në Shkodër profesor Gurakuqi, në Lezhë Aldo Bumçi, në Elbasan profesor Spaho, në Gjirokastër doktor Shehu, në Korçë profesoreshë Valentina Duka, i vetmi biznesmen që kryeson listën në Vlorë Agron Shehaj, i cili vjen nga një kulturë europiane e të bërit biznes, i suksesshëm dhe i talentuar. Sot, pa bujë dhe ceremoni i dhuron sërish sistemit shëndetësor pajisje që shpëtojnë jetë, gjest civilizues, human dhe njerëzor.
Çfarë solli e majta dhe ku është sot?! E zhytur në korrupsion e deri në afera anti-njerëzore, korrupsion me jetën e qytetarëve, korrupsion tek Ministria e Shëndetësisë, me tendera sekret dhe abuziv deri në krim njerëzor.
Një deputet përfiton nga pandemia dhe karantina e detyrueshme, në hotelet e tij. Një tjetër me spitalet artificiale COVID-3, KM që menaxhon edhe fatkeqësitë kombëtare, tërmet dhe pandemi, me miqtë e tij të partisë, për t’i përdorur nesër në fushatë kundër Opozitës dhe vullnetit të qytetarëve.
Këto janë dy modelet që demonstrohen sot publikisht: një e djathtë humane dhe e përgjegjshme, përballë “Rilindjes” shartim i së majtës, që prodhon korrupsion, krim e papërgjegjshmëri.
Dallimin këtu nuk e bëjnë vetëm detajet, por fryma, qëndrimet dhe veprimet e palëve. Çfarë do mbjellësh, do të korrësh, ndaj Rama sot po provon hidhur shijen e sondazheve, produkt i “frutave” që ai mbolli për vite me keq-qeverisjen e tij!
Mëkatet e keq-qeverisjes, korrupsionit, drogës, krimit, trafikut, do paguhen një ditë, nesër gjykim me votë dhe pasnesër me drejtësi”, shkruan Ndoka
/e.rr