Pas dy javesh izolim e trajtim mjekësor në Tiranë dhe përgjigjes së testit të fundit që e konfirmoi të shëruar nga Covid-19, kryebashkiaku Erion Veliaj është rikthyer menjëherë në krye të punëve publike.
Nga zyra e tij në Bashkinë e Tiranës, Veliaj shprehet se është në gjendje të mire shëndetësore, ndërsa apelon për unitet në këto momente të vështira si pasojë e COVID-19.
“Ndjehem shumë mirë, është dita e parë e lirisë mbas dy javë e gjysëm izolim. Ka qenë një periudhë që më ka mësuar shumë, që jam pjekur. Jam ndjekur nga spitali “Shefqet Ndroqi” në shtëpi nga infermierë dhe doktorë si Perlat Kapisysi, Adelina, infermierja.
Si komb patjetër që duhet të përballemi me pjesën e fatkeqësisë dhe pjesën e pandemisë, por besoj që ka ardhur momenti që edhe të piqemi pak edhe të kursejmë fjalën e keqe, të kursejmë mallkimin, të kursejmë sharjet dhe të sigurohemi që mbi të gjitha jemi një familje, ne jemi të gjithë shqiptarë dhe duhet të mundohemi që të respektojmë autoritetet, të respektojmë bluzat e bardha, njerëz që po strapacohen. Unë nuk jam larguar asnjë minutë nga shtëpia ime dhe jo më nga Shqipëria, do të thotë që këta njerëz po bëjnë maksimumin.
Nuk dua që të ndaloj polemikat, por dua që të ndaloj kulturën e mallkimit, kulturën e ndjelljes së të keqes, kulturën e gëzimit për fatkeqësinë e tjetrit. Këto janë gjëra të një kulture që ne mund t’i menaxhojmë vetë. Unë besoj fare mirë që ne në këtë aspekt ne mund të bëjmë pak më shumë edhe besoj që dhe për një sëmundje që është e verbër si politikisht si për çdo dallim tjetër do të duhet që dhe ne të jemi të verbër përpara kësaj, do të thotë që ne të trajtojmë të gjithë me unitet”, tha Veliaj.
/e.rr