Detaje të reja kanë dalë një ditë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e tundi si flamurin e fitores lajmin se rusia ka gati vaksinën anti-COVID duke theksuar se kjo është edhe një shpresë për mbarë botën.
Kreu i Kremlinit njoftoi lajmin se vaksina ruse është aprovuar e para në mbarë globi në një kohë që edhe shumë shtete të tjera po punojnë për krijimin e një vaksine kundër COVID-19.
Ndërkohë duket se “lumturia” për lajmin e mirë nuk ka zgjatur shumë sepse në mediat e huaja ka qarkulluar lajmi se vaksina ruse është testuar vetëm në 38 njerëz dhe shkakton efekte anësore.
Sipas “Daily Mail”, disa dokumenteve zyrtare kanë vërtetuar se vaksina kundër koronavirusit, e miratuar të martën në Rusi, është testuar vetëm në 38 persona dhe shkakton disa efekte anësore, si temperaturë, ethe, dhimbje dhe ënjtje.
Mësohet se vaksina ruse është miratuar nga rregullatori vetëm 42 ditë pas fillimit të testimeve dhe efikasiteti i saj është i panjohur. Në një prej dokumenteve të dorëzuara për regjistrim të vaksinës thuhet se nuk ka pasur studime klinike për hulumtimin e efikasitetit epidemiologjik të substancës, shkruan Daily Mail.
Gjithashtu dyshime ka edhe për aftësinë e kësaj vaksine për të krijuar antitrupa të mjaftueshëm pasi Vladimir Putin tha se vajza e tij tashmë ka zhvilluar antitrupa pasi është vaksinuar me vaksinën e re.
Vakzinën anti COVID Rusia e ka kthyer në një garë botërore dhe e ka quajtur produktin ‘Sputnik V’ pas satelitëve të mëparshëm hapësinorë Sovjetik, duke shkaktuar frikën se siguria do të rrezikohet për hir të imazhit të Rusisë.
Shkencëtarët e kritikuan dje Putinin për lëvizjen ‘e pamatur dhe të pamend “për të cilën ata thonë se mund ta përkeqësojnë pandeminë nëse vaksina provohet e rrezikshme ose joefektive.
Gjithashtu vaksina nuk lejohet për personat nën 18 vjeç dhe ata mbi 60 vjeç për shkak të mungesës së hulumtimeve të deritanishme mbi ndikimin e saj.
Nuk rekomandohet për gratë shtatzëna sepse ‘efikasiteti dhe siguria e saj nuk janë studiuar’.
As nuk është studiuar bashkëveprimi i vaksinës me ilaçet e tjera dhe efekti i tij në aftësinë për të drejtuar automjete.
Nga ana tjetër Rusia po përballet me raste të shumta të pacientëve me koronavirus, ku deri më tani numri i viktimave ka shkuar në 15,131 ndërsa janë konfirmuar të paktën 902.701 të infektuar që prej fillimit të shpërthimit të pandemisë./ Javanews
g.kosovari