Në Shqipëri, pandemia Covid-19 ka shkaktuar një konfuzion të përgjithshëm social dhe ekonomik nga filimi i vitit e në vazhdim.
Janë mbi 200 të vdekur dhe mbi 6 mijë e 500 të infektuar nga koronavirusi.
Por sociologët pohojnë se shoqëria shqiptare po reagon në mënyrë kaotike dhe shpesh indiferente ndaj këtij rreziku.
Studiuesit theksojnë se me shfaqjen e këtij virusi deri në gjetjen e një mjekimi për të, shqiptarët duhet të heqin dorë nga traditat e jetës kolektive dhe zakonet ceremoniale në komunitet.
Koronavirusi dhe pandemia sollën edhe në Shqipëri një konfuzion reagimesh kontradiktore, ku njerëzit nga një anë përpiqen të mbrojnë jetën e familjarëve dhe nga ana tjetër duhet të punojnë për të siguruar të ardhurat e mbijetesës së familjes.
Studiuesi i njohur i sociologjisë, prof.dr. Zyhdi Dervishi, thotë që, ashtu si për mjekët, kjo është një periudhë e pazakontë edhe për sociologët, që vëzhgojnë reagimet e shoqërisë përballë një sëmundje me hije kaq të rëndë, që ka mbërthyer gjithë sektorët e jetës shqiptare e botërore.
“Kjo sëmundje ka krijuar një pështjellim të madh, ka krijuar një anarki shpirtërore dhe problematikat e tyre shpesh janë të frikshme. Shpesh njerëzit e prekur nga Covid, ose kanë patur të afërm të tyre të prekur nga Covid, janë të çoroditur. Masat që rekomandohen për mbrojtjen duhen zbatuar, por është e rëndësishme që njerëzit të kenë një pmje më të qartë për natyrën e kësaj sëmundje” – thotë zoti Dervishi.
Studiuesit vlerësojnë se reagimi më i papritur i shqiptarëve ndaj koronavirusit ishte mohimi fare i ekzistencës së sëmundjes dhe refuzimi i vetëmbrojtjes ndaj saj.
Por kjo i rriti shifrat e viktimave dhe spitalet janë plot, thotë profesor Dervishi, prandaj besojnë apo nuk e besojnë shqiptarët, sëmundja është aty, po merr përditë jetë njerëzish dhe ata duhet të mbrojnë jetën e tyre dhe të tjerëve që i rrethojnë.
“Në shoqërinë shqiptare konfuzioni është i shumëfishtë. Ka njerëz që mendojnë se Covid nuk ekziston dhe shkojnë të shkujdesur e të pambrojtur përballë një rreziku real. Të tjerë mendojnë se ky nuk është si viruset e tjera, por është armë biologjike. Shfaqja e Covidit edhe në shoqërinë lipset të riperceptohet edhe në aspektin e rikonfigurimit të marrëdhënieve mes shqiptarëve” – tha prof. Dervishi.
Një mori me gjoba dhe ndëshkime po marrin aktualisht lokalet dhe restorantet, ndërsa mjekët konstatuan se shumica e infektimeve të reja me COVID po shkaktohen nga ceremonitë martesore dhe ato mortore, festat dhe ditëlindjet në mjedise të tejmbushura pa masa mbrojtëse.
Tashmë që autoritetet ndaluan edhe muzikën në restorante si stimuluse e festave dhe tubimeve të pakontrolluara, të rrezikshme për shëndetin, është koha, thotë zoti Dervishi që shqiptarët duan apo nuk duan, duhet të heqin dorë hap pas hapi nga traditat e jetës kolektive dhe zakonet ceremoniale në komunitet.
“Përgjithësisht shqiptarët bëjnë jetë shumë aktive kolektiviste. Ata e kalojnë një pjesë të madhe të kohës nëpër kafene, duke biseduar dhe duke qëndruar shumë pranë njëri-tjetrit. Kjo sëmundje, hija e saj e rëndë sidomos, kërkon që shqiptarët duhet të rrinë më larg njëri tjetrit, duhet të rrinë të distancuar edhe fizikisht. Kjo është masë e detyrueshme parandaluese për këtë sëmundje dhe për sëmundje të tjera” – thotë prof. Dervishi.
Deri tani në Shqipëri janë mbi 200 të vdekur dhe mbi 6 mijë e 500 të infektuar nga koronavirusi. Në dy spitalet Covid janë të shtruar mbi 120 pacientë, një pjesë në gjendje të rëndë, ndërsa një pjesë tjetër e konsiderueshme më lehtë po marrin mjekime të izoluar në shtëpi./VOA