Nga Alfred Peza
Pasi e ndihmoi opozitën në fitoren e “revolucionit popullor” pas djegies së mandateve të deputetëve dhe bojkotit të zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, Sali Berisha ka nisur një revolucion të ri. “Revolucionin dixhital” për të mundësuar fitoren e Lulzim Bashës në zgjedhjet e reja të pranverës së vitit 2021. Një parathënie e sigurtë, se ashtu siç humbi pushtetin lokal, pritet që opozita të humbi sërisht edhe në zgjedhjet e radhës!
Të dyja revolucionet e Berishës, megjithëse njëri real e tjetri virtual, përveçse të njëjtin arkitekt kanë gjithashtu edhe të njëjtën filozofi projektimi dhe teknologji ndërtimi. Ato emërtohen revolucione meqenëse opozitarët me sa duket, vetëm ashtu besojnë se mund të vijnë në pushtet, përballë mazhorancës socialiste. Dhe jo përmes votës, zgjedhjeve, ofertës, programeve, alternativave, ekipeve dhe frymës së ndryshimit.
“Revolucioni i molotovëve” u quajt “popullor”, duke u nixitur nga lart, me synimin që të nxiste artificialisht qytetarët që ti bashkoheshin elitës opozitare të sapo dalë nga Parlamenti, në rrugë. Por kur njerëzit kuptuan se revolucioni nuk bëhet nga ish pushtetarët, ish qeveritarët, ish deputetët, ish drejtorët, ish doganierët, ish tatimorët dhe ish policisët, i lanë në vetminë e tyre derisa u dorëzuan kur e kuptuan se dështuan.
Ndërsa si lëndë të parë për “revolucionin virtual” të tanishëm, po mundohen që të përdorin ato që disa portale i quajnë “sondazhe”. Të cilat skanë asgjë të përbashkët me sondazhet profesionale, por janë thjeshtë një truk për të fituar ca klikime më tepër, në mënyrë që të krijojnë iluzionin se të gjitha po fitohen nga Partia Demokratike. Edhe në këtë rast, arkitekti është i njëjtë dhe filozofia e projektimit dhe teknologjia e ndërtimit të këtij imazhi të rremë, është nga makina propogandistike e SHQUP. Ku militantët virtualë, sapo njoftohen për “sondazhin” e radhës, sulen për të nxjerrë artificialisht si fitues, Lulzim Bashën.
Edhe në këtë rast, duke nxitur nga lart një iluzion të rremë, se shqiptarët sa mezi po presin që Lulzim Basha të bëhet Kryeministër besojnë se do të arrijnë të shpërndajnë tek njerëzit realë, tek zgjedhësit, votuesit dhe të gjithë ata që janë të interesuar për zhvillimet politike në këtë vend, idenë se ndryshimi po vjen. Se jo vetëm Luli por edhe gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë, nuk arrijnë që të shohin ndonjë ëndërr tjetër këto kohë, veçse ato me rikthimin e opozitës në pushtet.
Aq qesharake është bërë e gjithë kjo histori, sa nuk mbetet portal sado qëndror apo periferik, në Tiranë apo në çdo provincë të vendit që organizon një sondazh me pyetjen: Kush mendoni se do të jetë më 2021 Kryeministër: Edi Rama apo Lulzim Basha?- pa u sulmuar. Edhe një media shumë pranë PD dhe opozitës së rrugës që guxoi sot, ta bënte për të shtuar pak aktivitetin në web-siten e vet, pas një ore u detyrua ta ndërpriste pasi kuptoi kotësinë e një ndërmarrje që nuk i shërben askujt. Përveç udhëheqësve të revolucionit të ri dixhital.
E bukura e gjithë kësaj, është se “rezultatin e çdo sondazhi” do ta shohësh menjëherë të postuar në facebookun e ish Kryeministrit Sali Berisha. E vetëm pak çaste pas tij, ajo meret nga të gjitha portalet dhe mediat pranë PD, që nxitojnë ta japin si lajmin më të rëndësishëm dhe serioz të botës. Duke shpallur kësisoj sistematikisht, kalimin e Lulzim Bashës nga fitorja në fitore, madje me rezultat gjithnjë e më të thella. Duke e bërë kësisoj, akoma edhe më qesharake, qasjen politike dhe propogandistike të opozitës.
Ashtu siç “revolucioni i molotovëve” i dhuroi Lulzim Bashës, PD dhe “Opozitës së Bashkuar” humbjen spektakolare në zgjedhjet e 2019, vijimi me të njëjtën logjikë edhe të “revolucionit dixhital” nuk parathotë gjë tjetër veçse humbjen e radhës më 2021. Sepse pas 30 vjetësh pluralizëm, shqiptarët kanë parë aq shumë dhe janë aq të mirorientuar politikisht, sa as nuk sugjestionohen, as nuk ndikohen dhe as nuk tundohen nga “revolucionet fake” që prodhojnë “pushtet fake” dhe “kryeministra fake”!
Ironia e gjithë kësaj historie është se sa më shumë që Sali Berisha ka shpallur gjithë këto vite fitoret opozitare në botën e tij dixhitale, aq më shumë Lulzim Basha ka pësuar dhe vazhdon të pësojë humbje, në botën e tij reale! Alpenews