Qindra refugjatë të bllokuar në zonën kufitare midis Greqisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, kanë protestuar për shumë orë gjatë fundjavës, pasi autoritetet e Shkupit, duke zbatuar kufizimet e vendosura edhe nga shumë shtete të tjera të Evropës, nuk lejojnë të kalojnë ata refugjatë, që nuk janë posedues të pasaportave nga Siria, Afganistani dhe Iraku.
Të paktën 2000 iranianë dhe pakistanezë, duke hedhur parulla për lirinë dhe kundër racizmit kanë kërkuar, që edhe ata të lejohen të shkojnë drejt vendeve të Evropës Qendrore.
Të shtunën, të paktën 6000 refugjatë nga Siria, Afganistani dhe Iraku kanë kaluar kufirin grek drejt ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, por gjatë orëve të fundit më shumë se 5000 të tjerë, kryesisht nga Irani, Pakistani, Bangladeshi dhe shtete të tjera, në një tokë asnjanëse presin pas telave me gjemba, ndërsa temperaturat kanë filluar të ulen ndjeshëm.