Një prej kategorive më të ndjeshme të dala nga lufta e UÇK-së, ajo e invalidëve, ka mbetur e zhgënjyer me përkrahjen që kanë marrë këtë vit nga Qeveria e Kosovës. Ata mbetën pa realizuar projektin-faza e dytë- për rregullimin e protezave të këmbëve, duarve dhe syve për invalidët e luftës, dhe atë të shërimit jashtë vendit për ata invalidë që kanë nevojë.
Për të parën herë, këtë vit, Qeveria e Kosovës nuk e realizojë projektin e dërgimit të invalidëve në rehabilitim dhe pushime verore, gjë kjo që ka shqetësuar shumë kryesuesit e këtyre shoqatave.
Sipas tyre, me këto veprime, Qeveria e Kosovës në krye me Isa Mustafën, ka bërë një turp karshi kësaj kategorie të ndjeshme të luftës së UÇK-së.
Deri këtë vit, projekti për rehabilitimin e invalidëve nëpër banja të ndryshme në Kosovë, dhe disa ditë në bregdet është implementuar me rregull. Këtë vit, Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, ka arritur të dërgojë në banjë vetëm 200 invalidë, nga 5 mijë sa ka qenë dashur. Derisa për në bregdet nuk është realizuar fare këtë vit, raporton KTV.
Në anën tjetër, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi thotë se vetëm 100 mijë euro i kanë paraparë në fillim të vitit për këto kategori dhe se nuk e kanë ditur se ata kanë nevoja shtesë.